Connect with us

Shkrime

Albin Kurti ‘sjell’ kataklizma dhe ‘sulme terroriste’

Nga Enver Bytyçi

Prej ditësh kundërshtaret e kryeministrit të Kosovës kanë dhënë alarmin. “Po u hap ura do të bëhet kataklizma!

Do të ketë sulme terroriste!

Terroristët serbë të stërvitur në kampe në territorin e Serbisë do të kryejnë akte dhune!

Serbët në veri do të ngrejnë barrikada!

KFOR-i do të marrë kontrollin e territorit në veri të Kosovës”!

Dhe plot parashikime ogurzeza, të cilat janë hipoteza, por jo të vërtetuara.

Këtyre kundërshtarëve të hapjes së Urës së Ibrit për shkak të armiqësisë me Kurtin brenda Kosovës u shtohen vazhdimisht ata të Shqipërisë e deri diku te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.

Në Shqipëri, nëse dëgjon lajmet e shumë televizioneve, duket sikur në Kosovë ka plasë lufta

Kësaj stuhie kundër qeverisë Kurti i shtohen më pas reagimet e ndërkombëtarëve.

Stano si zëdhënës i Borrell në Bruksel dhe del e thotë se “BE mund të shtojë masat e sanksioneve kundër Kosovës”!

Ndërkohë logjika të thotë se në Europë nuk mund të ketë politikanë që kundërshtojnë, aq më pak të vendosin sanksione, për hapje urash për komunikimin njerëzor! Por nuk është ky rasti. Edhe Stano e Stanot e tjerë të huaj jashtë e brenda Prishtinës kanë ngritur alarmin: – Pa ne mos e hapni urën se do ketë pasoja! Kjo është fabula e ndërkombëtarëve.

Në këto kushte hapja e urës së Ibrit, nga një rit i zakonshëm kthehet në një sfidë për qeverinë dhe kryeministrin e Kosovës. Albin Kurtit i japin rolin e Gjergj Elez Alisë, sikur për hapjen e një ure, që mund të ndodhë krejt natyrshëm, po lufton me ciklopët e detit e përtej detit.

Në fakt nuk është ashtu. Por duke e dramatizuar situatën, duke i dhënë aktit ngjyra tragjizmi, njerëzit e përcepptojnë kryeministrin Kurti si një person “Mbinjeri”.

Kjo lojë po krijon mitin Kurti! Po krijon mbipolitikanin! Të jashtëzakonshmin!

Tani Kurti ka shansin t’i gëzohet pa masë opozitarizmit politik e mediatik në Kosovë. Po ashtu reagimeve kundër tij të ambasadorit amerikan apo të zëdhënësit të Brukselit, Stano.

Pse mos t’u gëzohet këtyre kundërshtive! Sa më të fuqishme kundërshtitë, sa më të zhurmshëm zërat kundër, aq më i fuqishëm shfaqet Albin Kurti te fansat dhe mbështetësit e tij dhe aq më shumë i shtohen ata.

Kurti nuk ka nevojë për lëvdatat e opozitarëve dhe kundërshtarëve të tij për të shtuar mbështetjen popullore në Kosovë. Përkundrazi, i duhet pikërisht qasja që po e shohim tani.

Mbas disa javësh nuk do të flitet më për urën e hapjen e saj, sepse lëvizja përmes saj do të duket diçka e natyrshme, krejt e zakontë, si një herë e një kohë, në vitet 1970-1980! Dhe pikërisht në këto momente njerëzia do të thonë:

“Bravo i qoftë Kurtit! Të gjithë i thanë, jo mos e hap urën dhe ai e hapi! Tani shih si po ecim lirshëm me vetura e me kamionë në këtë urë”! Siç kanë filluar të thonë për targat, për dinarin, për dokumentet, për mbylljen e qendrave postare e me radhë.

Çfarë ndodhi? Asgjë! Pse e kundërshtuan? Kot! Sa për ta denigruar kryeministrin!

Atëherë ky i sfidon të gjithë! Ky është më i zoti plus më i pakorruptuari në Kosovë! Mjafton këto dy mite dhe në zgjedhjet e ardhshme Albin Kurti t’i forcojë edhe më shumë pozitat e tij në pushtet.

Advertisement