Connect with us

Politike

Pse Berisha bëri një marrëveshje që nuk është në interesin e tij

Pakti i fundit Rama-Berisha prodhoi një amendim të kodit elektoral i cili meriton të shpjegohet me detaje për të qartësuar ata të cilët kanë sadopak interes se si mund të shkojnë punët në zgjedhjet e ardhme.

Thelbi i ndryshimeve në kod ishin dy aspekte, ndryshimi i formulës për listat e hapura dhe të mbyllura dhe vota e disaporës.

Ndalemi pak të listat e deputetëve për të parë se kush ka fituar e kush ka humbur. Palët ranë dakord dhe votuan që listat të jenë të mbyllura në 1/3 e tyre dhe të hapura për pjesën tjetër bazuar në rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese. Kjo do të thotë që në listën e votimit 1/3 e listës do të jetë e pavotueshme nga qytetarët, pra ata do të mund ta hedhin votën e tyre preferenciale vetëm për 2/3 të cilat do të qëndrojnë poshtë në renditje. Nëse marrim si shembull Qarkun e Tiranës I cili nxjerr 36 deputetë, në listën e partive politike 12 emrat e parë, pra nga 1-shi të 12-ta, do të jenë të pavotueshëm nga qytetarët. Votuesit do të mund të përzgjedhin si deputetin e tyre të preferuar vetëm për 24 emrat e tjerë që renditen poshtë Nr. 12.

Që këtu kemi një problem të madh me demokracinë, sepse nëse me sistemin e mëparshëm votuesit kishin mundësi të votonin të gjithë listën, e kështu deputetëve (edhe pse shkonin me listë të mbyllur në parlament si preferencë e kryetarit) u njihej pesha e tyre direkte elektorale, në zgjedhjet e ardhshme ne nuk do ta dimë se sa është pesha elektorale e 12 të parëve në listën e Tiranës pasi ata janë të pavotueshëm nga elektorati.

Por përtej problemeve me demokracinë që e gjithë marrveshja ka, le të shpjegojmë se kush fitoi e kush humbi dhe përse erdhi kjo marrveshje në këtë formë.

Në optikën time, Partia Socialiste është padyshim fituesja e madhe nga ky kod. Edi Rama ia ka dalë që jo vetëm të saldojë në Kuvend njerëzit e tij të preferuar duke garantuar kontrollin mbi parlamentin dhe grupin parlamentar, por ai ka krijuar edhe një mekanizëm perfekt për maksimizimin e votës.

Praktikisht, edhe pse 1/3 e listës është e mbyllur, të gjithë pjesa tjetër e kandidatëve të Partisë Socialiste në të gjitha qarqet ndihen në garë. Ata do të luftojnë për çdo votë personale, do të angazhojnë gjithë rrethin e tyre shoqëror e familjar dhe do të arrijnë të ngrenë burime financiare dhe ti përdorin ato me besimin se do të jenë më eficentë se garuesit e tjerë. Partia Socialiste do të maksimizojë votën e saj në të gjithë territorin e Shqipërisë, duke patur edhe garancinë se kontrollin absolut të Parlamentit do ta ketë Edi Rama. Nuk do të habitesha nëse Edi Rama do të mbushte 1/3 e parë të listës me personazhe anonimë por besnikë të tij dhe të hidhte në garë gjithë elitën e Partisë Socialiste e cila mbas 12 vitesh pushtet ka akumuluar mjaftueshëm burime për të bërë një fushatë spektakolare e për të garantuar vazhdimësinë politike.

E kundërta qëndron me Partinë Demokratike. Referuar sondazheve dhe situatës në terren, Partia Demokratike paraqitet e pamotivuar dhe pa resurset e duhura. Kryesisht nuk ka ripërtëritje të strukturave dhe lidershipit dhe oferta është e njëjta. Për rrjedhojë gara brenda PD-së do të mbetet poshtë ballkonit të Berishës, se kush do ti krijojë më shumë bindjen atij për besnikëri e shërbim pa kushte që të sigurojë një vend në 1/3 e parë të listës. Si rrjedhojë pjesa tjetër e listës, duke qenë se ka pothuajse 0 shanse të hyjë në parlament ka pak gjasa të jetë efektive në mobilizimin e masave dhe burimeve financiare.

Shumëkush mund të pyesë “Pse e bëri Berisha një marrveshje që nuk është në interesin e tij”?

Kjo pyetje do të vlente nëse nisesh nga premisa që Berisha është duke kërkuar të vijë në pushtet, por unë gjykoj se synimi i Berishës është mbajtja e monopolit të opozitës të paktën edhe 4-vjeçarin e ardhshëm. Dukë qenë i tillë halli i tij nuk është përfitimi i Ramës por nëse do ia dalin forca të tjera opozitare të bëhen konkurruese në lëmin opozitar dhe tia heqin atij monopolin dhe gjithë benefitet që ai sjell (praktikisht për të fuqinë negociuese për situatën ku ndodhet).

E këtu vijmë të të dëmtuarit kryesorë nga kjo reformë të cilët janë partitë e reja. Si themeluesi i një force të re politike (Nisma Thurje) unë e di shumë mirë se është pothuajse e pamundur për një forcë të re tia dalë në terrenin shqiptar nëse nuk arrin të motivojë një numër sa më të madh njerëzish të cilët të angazhohen në fushatë e të mobilizojnë gjithë arsenalin e tyre shoqëror dhe financiar. Shoqëria shqiptare në përbërje mbetet tribale, sidomos përtej unazës së Tiranës dhe e lidhur ngushtë mbas interesave të pushtetit, për rrjedhojë ndryshimi i votës mund të vijë vetëm nëse një masë domethënëse aktorësh karizmatikë bëhen bashkë nën një sigël dhe apelojnë forcë dhe projektojnë pushtet.

Kodi aktual e heq totalisht këtë mundësi, sepse duke mbyllur pjesën e parë të listës, partitë e reja janë të dënuara të shndërrohen në “one man show” duke i dhënë shpresë vetëm drejtuesit të listës së Tiranës. Për rrjedhojë do të jetë pothuajse e pamundur që lista e kandidatëve të mbushet me njerëz me influencë shoqërore për shkak se askush nuk do të shohë një mundësi reale për të fituar garën.

Problemi i dytë që kanë partitë e reja me këtë kod është se duke e bërë 1/3 e listës të pavotueshme ata nuk mësojnë dot as se cila është fuqia elektorale e gjithsecilit, një mësim ky që do u vlente shumë në zgjedhjet e ardhshme e një fakt që do të shndërrohet në mollë sherri mbas humbjes së zgjedhjeve.

Pra si përfundim, kodi elektoral është qepur me kujdes mbas interest të Ramës për të garantuar edhe një mandat duke mbajtur kontroll absolut mbi parlamentin e partinë dhe hallit të Berishës për të ruajtur monopolin e opozitës edhe për 4 vite duke asgjësuar partitë e reja. (Besjan Pesha – Shteg.org)

Advertisement