Connect with us

Aktualitet

Sinner, kampioni me doping/ Pozitiv në dy teste, por tenisti italian shpallet i pafajshëm

Ishte trofeu i parë i rëndësishëm pas një periudhe negative të kushtëzuar nga dëmtimet. Por Janik Sinner nuk arriti të festojë suksesin në turneun Masters të Cincinati. Pak orë pas këtij suksesi, raketa numër një e botës në tenisin për meshkuj u përfshi në një çështje dopingu.

Më saktë u zbulua se tenisti italian kishte rezultuar pozitiv në dy teste anti-doping gjatë muajit prill, kur ishte në aksion në turneun “Indian Wells”.

Sipas të dy analizave, në trupin e Sinner u gjet “Clostebol”, një substancë dopuese e njëjtë me testosteronin.

Pas gjykimit nga një trupë e pavarur në Agjensinë Ndërkombëtare të Integritetit në Tenis, ai u shpall i pafajshëm, pasi u zbulua se substanca e ndaluar ishte transferuar nga fizioterapisti i tij, që e kishte përdorur atë për të mjekuar një plagë në dorën e tij.

Pavarësisht kësaj, tenisti italian pranoi të mos marrë shpërblimin financiar dhe pikët e grumbulluara në turneun “Indian Wells”.

Po ashtu edhe Shoqata e Tenisit Profesionist ka reaguar zyrtarisht, duke shfajësuar Janik Sinner, ndërsa në të njëjtën kohë ka shuar dyshimet për pjesëmarrjen e tij në turneun e radhës Grand Slem, atë të “US Open”.

Nëse zyrtarisht Janik Sinner nuk ka shkelur rregullat anti-doping, polemikat janë ndezur menjëherë. Kolegë dhe ish-kolegë të tenistit italian e kanë cilësuar “pafajësinë” e raketës numër një të botës si të padrejtë, pasi sportistë të tjerë janë dënuar në të shkuarën për të njëjtën çështje.

Advertisement