Connect with us

Aktualitet

Misteri i madh i Kurumit – Pse u mbyll kompania befas, pas hetimit për mbetjet toksike në anijen “famëkeqe” drejt Azisë

Një njoftim i befasishëm për 500 punonjës, me ndërprerje të menjëhershme kontrate. Pas një zbarkimi të Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore në mjediset e fabrikës. Në një kohë kur një hetim i gjerë po kryhet për mbetjet toksike në një anije të nisur nga Porti i Durrësit, drejt Azisë, por e kthyer.

Nuk ka halucinacione në këtë histori thuajse kinematografike, por e cila pasqyron realitetin për një prej kompanive më të mëdha që kanë operuar në Shqipëri, në fushën e Industrisë së rëndë.

Kurum. Kompania turke, e cila prej vitit 1998 ka operuar në Elbasan, duke e kthyer ish-metalurgjikun e qytetit të Shqipërisë së Mesme në funksional dhe në njëfarë mënyrë, edhe një krenari më vete e shtetit turk, si investitor i madh në një partnere si Shqipëria.

Nuk bën sens në fakt një mbyllje e tillë e kompanisë, brenda ditës, kur rreth saj përflitet dhe adresohet ngjarja famëkeqe e një anije me qindra tonë mbetje toksike, e nisur nga Porti i Durrësit drejt Tajlandës, por që nuk e arriti kurrë destinacionin.

Misteri është në fakt i madh. Për t’i marrë aspektet kronologjikisht.

Kurum e mohoi fillimisht përfshirjen në këtë ngjarje madhore të “anijes toksike”, e cila mori valën e parë nga mediat ndërkombëtare, u përhap në Shqipëri me shpejtësi dhe më tej, futi në lojë edhe institucionet e larta evropiane për hetim.

Në mesgushti megjithatë, papritur Kurum mbyll aktivitetin. Pretendimi është ai se është në proces remonti.

500 punëtorë të uzinës së çelikut dhe të uzinës së përpunimit mësohet se janë njoftuar për ndërprerjen e njëanshme të kontratës, pa arsye zyrtare për pezullimin.

Asgjë tjetër përtej kësaj nuk mësohet.

Inspektoratit Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore vihet në veprim dhe niset menjëherë për monitorimin e situatës dhe zhvillimet e fundit, të asaj çfarë po ndodh me Kurum.

Subjekti në Qendrën Kombëtare të Biznesit rezulton aktiv. Kërkesë për pezullim aktiviteti nuk ka. Madje, edhe nga dega e Tatimeve, Kurum rezulton se është tërësisht funksional dhe në proces pune.

Kështu nuk është, pasi fabrikës i është vënë dryni dhe askush nuk gjendet atje.

Një tjetër version ndërkaq del në dritë. Sipas një shkrese zyrtare, mësohet se Kurum ka mbyllur repartin e çelikut për shkak të rritjes së çmimit të lëndës bazë në bursat ndërkombëtare, ndërsa reparti i petëzimit ka ndërprerë procesin për shkak të një defekti. Kompania, sipas shkresës, është në pritje të ekspertëve kinezë për zgjidhjen e problemit.

Mbyllja mbetet gjithsesi e çuditshme, krejtësisht e pazakontë dhe në një kohë ku edhe nëse Kurum nuk është i përfshirë në çështjen e “anijes toksike”, të bën të mendosh se në të vërtetë e gjithë lidhja, është pikërisht hetimi për atë anije.

Qartësimi real, duhet bërë nga autoritetet përkatëse, të cilat ashtu si në çështjen e anijes, janë të “rezervuar”, për të qenë të lehtë në etiketim.

Zero fjalë për Kurumin… Pse?

Advertisement