Politike
Berisha i pandehur, Tabaku: Kjo që po ndodh me të s’është gjë e mirë për PD
Pasi iu bashkua mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike disa ditë më parë, deputetja Jorida Tabaku reagoi në A2 CNN dhe për vendimin e SPAK që mori si të pandehur ish-kryeministri Sali Berisha.
Tabaku refuzoi të komentojë vendimin e strukturës së posaçme, por shtoi se ajo që po bëhet me Sali Berishën nuk është diçka e mirë as për vendin dhe as për demokratët.
“Nuk jam këtu për të komentuar vendimet e SPAK dhe në ato raste kur kanë qenë për kundërshtarin tim. Dua të them që ajo që po ndodh me zotin Berisha nuk është diçka e mirë as për të e as për PD dhe Shqipërinë”, u shpreh deputetja demokrate.
Jorida Tabaku foli dhe për kërkesën e opozitës për qeveri teknike përpara zgjedhjeve, duke e quajtur atë normale.
“Unë besoj se në kushtet kur është faktuar keqmenaxhimi i zgjedhjeve, opozita duhet të gjejë çdo mënyrë sesi zgjedhjet të drejtohet në mënyrë profesionale sepse jam i sigurt që influenca politike do të jetë. Kërkesa për qeveri teknike është normale, sidomos me një qeveri të kapur në vjedhje, që ushtron presion. Duhet të ngremë shqetësimin në të gjitha instancat. Keqardhje që nuk kemi pasur asnjë ndryshim në kodin zgjedhor që iu jep zgjidhje problemeve të shqiptarëve. Shqipëria pret të hap negociatat dhe flet për standardet e zgjedhjeve”, tha Tabaku.