Connect with us

Politike

Rama për ‘New York Times’: Shqipëria do krijojë një ‘Vatikan’ brenda Tiranës

New York Times i ka kushtuar një artikull mundësisë së krijimit të një shteti të stilit të Vatikanit në Shqipëri.

Sipas NYT kryeministri Edi Rama dëshiron t’u japë anëtarëve të Bektashinjve enklavën e tyre të stilit të Vatikanit si një mënyrë për të promovuar tolerancën fetare.

Sipas gazetës, ai do jetë katër herë më i vogël se Vatikani.

Në këtë territor do të lejohet alkooli dhe femrat do të veshin çfarë të duan, pasi nuk do ketë rregulla për stilin e jetesës.

I gjithë shteti do jetë rreth 11 hektarë.

“Shqipëria kërkon që ta kthejë në një shtet sovran me administratën, pasaportat dhe kufijtë e saj. Kryeministri shqiptar Edi Rama thotë se në të ardhmen e afërt do të shpallë planet për entitetin, që do të quhet Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi,” shkruan gazeta.

Shteti i ri do jetë në kryeqytetin shqiptar dhe do ketë për synim promovimin e tolerancës fetare.

“Një ekip ekspertësh ligjorë, përfshirë juristë ndërkombëtarë, po hartojnë legjislacionin që përcakton statusin sovran të shtetit të ri brenda Shqipërisë. Kjo do të duhet të miratohet nga Parlamenti, i kontrolluar nga Partia Socialiste në pushtet e zotit Rama. Është e paqartë se cilat vende, nëse ka, do të pranojnë të njohin sovranitetin e bektashinjve.

Deri më tani, z. Rama, një katolik jo praktikant, tha se vetëm disa nga ndihmësit e tij më të afërt e dinë për planin dhe aleatët e NATO-s si Shtetet e Bashkuara nuk janë konsultuar,” thekson gazeta.

Advertisement