Bota
Helmimi i kryeopozitarit Alexei Navalny/ Rusia sanksione kundër Gjermanisë dhe Francës
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov ka deklaruar se vendi do të ndërmarrë veprime ndëshkuese kundër zyrtarëve gjermanë dhe francezë, në shenjë hakmarrjeje për sanksionimin e disa zyrtarëve rusë.
“Meqenëse Gjermania fshihej pas sanksioneve që vendosi Bashkimi Europian, për shkak të rastit Navalny, dhe meqenëse sanksionet shenjestrojnë punonjësit kryesorë të zyrës presidenciale të Federatës Ruse, sanksionet tona do të jenë të barabarta”,-ka thënë Lavrov, duke shtuar se ato do të prekin punonjësit e administratave të udhëheqësve të Gjermanisë dhe Francës.
Bashkimi Evropian ka akuzuar shërbimet e sigurisë ruse për bashkëpunim në helmin e Alexei Navalnay dhe si rezultat, ka vendosur sanksione ndaj gjashtë zyrtarëve të lartë të Kremlinit, përfshirë Alexander Bortnikov, kreun e Shërbimit Federal të Sigurisë së Moskës (FSB).
Gjithashtu, Lavrov ka sugjeruar se Navalny mund të jetë helmuar me agjent nervor ose në klinikën Charite në Berlin, ose në bordin e avionit që e ka transportuar në Berlin. Ndërsa, Navalny, i cili vazhdon të qëndrojë në Gjermani, e ka fajësuar presidentin rus, Vladimir Putin, për helmimin e tij, por Kremlini ka mohuar çdo akuzë.
Navalny u ndje keq gjatë një fluturimi nga Siberia në Moskë më 20 gusht dhe ka qendruar për 3 javë në spitalin e Berlinit, ku mjekët kanë zbuluar gjurmë të agjentit nervor Noviçok në trupin e tij.