Bota
Trump e thotë troç: Nuk ka më kufizime dhe vonesa për armë, Izraeli merr çfarë të dojë
Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, nuk ka ngurruar t’i japë kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, të gjitha garancitë e nevojshme për vijimin e luftës në Lindjen e Mesme.
Sipas raportimeve, Trump e ka telefonuar Netanyahun dhe i ka thënë pa hezituar se me të marrë detyrën e presidentit në janar, nuk do të ketë më asnjë kufizim dhe asnjë vonesë për dërgesat e armëve dhe pajisjeve luftarake drejt Izraelit. Shteti hebre do të marrë atë çfarë dëshiron dhe çfarë kërkon nga SHBA-të, sipas Trump.
Ardhja e Trump në krye të SHBA-ve në fakt ka qenë një preferencë e njohur e Netanyahut, i cili e ka ditur dhe ka pasur garanci nga kandidati republikan për mbështetjen e luftës së Izraelit në Lindjen e Mesme.
Ai madje u bë ndër të parët liderë botërorë, i cili e uroi Trump-in pas fitores.
“Kthimi juaj historik në Shtëpinë e Bardhë ofron një fillim të ri për Amerikën dhe një riangazhim të fuqishëm ndaj aleancës së madhe midis Izraelit dhe Amerikës. Kjo është një fitore e madhe”, shkruoi kreu i Qeverisë izraelite më 6 nëntor, kur projeksionet e treguan Trump-in fitues.
Trump ka shprehur më herët mbështetjen për ofensivën e Izraelit kundër Hamasit dhe Hezbollahut në një telefonatë me kryeministrin Netanyahu.
Presidenti i ardhshëm amerikan i shprehu Benjamin Netanyahut në një telefonatë këtë muaj: “Bëj atë që duhet të bësh”, sipas gjashtë personave të njohur me bisedën, të cilët folën në kushte anonimiteti për të diskutuar informacione të ndjeshme dhe konfidenciale.
Trump ka thënë publikisht se të dy kanë folur të paktën dy herë në tetor, me një telefonatë më 19 tetor.