Kosova
Rubio lë Kosovën në hije/ Jamie Shea i shqetësuar për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor
Ish-zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea, ka komentuar emërimin e senatorit amerikan Marco Rubio si Sekretar i Shtetit, duke theksuar se kjo mund të ketë pasoja të kufizuara për politikat amerikane në Ballkanin Perëndimor dhe, konkretisht, për Kosovën.
Sipas tij, megjithëse Rubio ka një përvojë të konsiderueshme në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, interesi i tij kryesor ka qenë gjithnjë në lidhje me Kinën dhe Amerikën Latine, dhe jo me Evropën ose NATO-n.
“Duhet të presim që Rubio të konfirmohet nga Senati, por kjo nuk duhet të jetë problem pasi emërimi i tij ka qenë më pak i diskutueshëm se ai i shumë kandidatëve të tjerë të Trump. Rubio ka një përvojë të marrëdhënieve ndërkombëtare, por interesi i tij dërrmues ka qenë për Kinën dhe Amerikën Latine” – deklaroi Shea dhe theksoi se, përkundër përvojës së Rubio-s në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, ai nuk ka një historik të ngushtë lidhur me Evropën, Bashkimin Evropian (BE) dhe NATO-n, që janë çështje të rëndësishme për rajonin e Ballkanit.
Shea vuri në dukje se shumë gjera do të varen nga diplomatët e SHBA-së në Departamentin e Shtetit, të cilët kanë përvojë dhe njohuri të thella për Kosovën dhe rajonin.
“Nëse Rubio do të marrë postin, shumë marrëdhënie të vlefshme profesionale dhe ekspertizë e dobishme mund të rrezikohen nëse nuk mbështeten diplomatët e përvojës që e njohin rajonin” – theksoi ish zedhenesi I Aleances Veri Atlantike.
Shea gjithashtu potencoi dy elemente kyçe për të ruajtur ndikimin e SHBA-së në rajon. Së pari, ai theksoi rëndësinë e ruajtjes së pranisë ushtarake të SHBA-së përmes KFOR-it dhe mbështetje për integrimin e Kosovës në strukturat e sigurisë të NATO-s. Së dyti, Shea theksoi nevojën që SHBA të emërojë një të dërguar special për rajonin, i cili do të bashkëpunonte me BE-në dhe përdorte presionin diplomatik ndaj Beogradit dhe Prishtinës, për të nxitur përparim në dialogun e Brukselit.