Connect with us

Bota

“Familjarët i zhdukte”/ Flet kushëriri i Assad: Ai më kërcënoi dhe u përpoq të më vriste

Ribal al-Assad, kushëriri i parë i liderit të rrëzuar të Sirisë, Bashar al-Assad ka treguar në një intervistë përplasjet me djalin e xhaxhait, Bashar al-Assad dhe përpjekjet e këtij të fundit për ta vrarë. Ribal rrëfeu për Euronews Albania se shumë nga anëtarët e familjes Assad, ata që kundërshtonin brutalitetin e regjimit, janë zhdukur dhe nuk dihet se ku janë.

Assad tregon se familja e tij është larguar nga Siria në vitin 1984, atëherë kur sundonte babai i Bashar al-Assad. Ai rrëfeu dhe takimin dhe përplasjen që pati me presidentin e Sirisë Bashar al-Assad jashtë një hoteli, ku e kritikoi mbi mënyrën e qeverisjes. Pas këtij episodi, Ribal tha se agjentët e Assad kishin tentuar disa herë ta eliminonin kur kthehej në Siri.

“Me Basharin jam takuar vetëm atëherë përballë hotelit Sheraton, ku ai më kërcënoi. Unë u ngrita ndaj tij dhe ai u largua, dhe pas këtij episodi njerëzit e tij u përpoqën të më vrisnin. Që prej atëherë nuk kam komunikuar më me të, por kam folur me shumë nga të afërmit e mi që më kanë komunikuar ditët e fundit dhe i kishin emrat e tyre në listën e personave që do të vriteshin nga regjimi. Unë e di shumë mirë që ata janë shtypur nga regjimi dhe shumica e të afërmve dhe familjarëve të Assad bëjnë një jetë të varfër dhe të vështirë. Ka pasur një pajtim mes regjimit dhe disa prej lëvizjeve xhihadiste që ndodheshin rreth Damaskut apo në Alepo, ata nuk u arrestuan kurrë. Unë kam një kushëri nga ana e nënës, ai u kthye në Siri nga Rusia disa vite më parë dhe ai është zhdukur, nuk dihet se ku është. Kjo tregon një shembull se sa i pamëshirshëm ka qenë ky regjim,” tha ai.

Ribal al-Assad tha se ai shpreson që Siria të marrë një drejtim demokratik dhe jo të kthehet në një vend ekstremist, si Irani. Ai tha se shpreson që sirianët që jetojnë jashtë vendit, përfshirë dhe ai, të kthehen dhe të marrin drejtimin e strukturave drejtuese të vendit.

“Unë jam një nga miliona sirianët që duan të kthehen në Siri. Ne kemi shumë persona inteligjentë sirianë në SHBA dhe BE, të cilët së bashku me mua duan të kontribuojnë në Siri. Ne duam të jemi brezi që promovon demokracinë në Siri, ne duam të jemi miq me Perëndimin. Ne na duhet mbështetja nga Perëndimi për ta tejkaluar këtë moment të vështirë. Ne nuk duam të bëhemi vend si Irani apo Turqia dhe për ta parandaluar këtë, e vetmja mënyrë është ndihma nga vendet perëndimore,” tha ai.

Advertisement