Politike
Ndreca sfidon publikisht Ramën: Veliaj s’ka ‘gisht’ në protestat, nxirr provat
Avokati Plarent Ndreca ka deklaruar se kryebashkiaku Erion Veliaj nuk ka asnjë përfshirje në protestat e zhvilluara në Tiranë, ndërsa i ka bërë thirrje publike kryeministrit Edi Rama që të paraqesë prova për pretendimet që lidhen me të. Deklaratat u bënë për mediat pas shtyrjes së seancës në Gjykatën e Posaçme, ku Ndreca foli edhe për raportet e tij me kreun e qeverisë.
Avokati zbuloi se ka pasur komunikime të vazhdueshme me Ramën, ndërsa pretendoi se i ka bërë të qartë se mbrojtja ligjore e Veliajt do të jetë përparësi për të, edhe nëse kjo bie ndesh me interesat politike të kryeministrit apo me pozicionin e tij brenda Partisë Socialiste.
Ndreca deklaroi se do të vazhdojë të mbrojë të drejtat dhe liritë themelore të kryebashkiakut, pavarësisht kostove të mundshme politike. Ai paralajmëroi gjithashtu se në momentin e duhur do të bëjë publike detaje të tjera nga komunikimet me kryeministrin.
“Jo nuk kam marrë pjesë në protesta, sepse unë jam pjesë e PS. Sigurisht që ka mënyra të ndryshme për të vlerësuar dhe reflektuar mbi protestat. Ajo që duhet thënë në këtë rast me siguri është që Veliaj s’ka asnjë lloj mundësie objektive që të bëjë nga këto akuza. Megjithatë ju jeni të qartë që Veliaj i ka bërë ftesë publike Ramës që ‘nxirrni provat, ndryshe…’. Jemi deri në fund me këto pretendimet jozyrtare. Unë them që kur këto pretendime të bëhen zyrtare, atëherë flasim. Ashtu siç i kam thënë edhe kryeministrit qartësisht dhe po j’ua citoj atë që kam thënë, ‘nëse përplasen interesat e mia si një prej drejtuesve politikë të Qarkut Tiranë të PS, apo interesat politike të kryeministrit me interesat ligjore të Veliajt, unë zgjedh të mbrojë interesat ligjore të Veliajt, si personi që ka nevojë sot për mbrojtje ligjore’. Unë do rreshtohem në mbrojtjen ligjore të Veliajt, pavarësisht se kjo mund të më kushtojë politikisht, por unë jam i vendosur për të ecur në këtë drejtim, sepse unë mendoj që është më e rëndësishme që të mbrohen liritë dhe të drejtat themelore të njeriut. Ka pasur komunikim të vazhdueshëm mes meje dhe kryeministrit. Në momentin e duhur do bëjë publike edhe detajet, por ky nuk është momenti. Çdo veprim që ka ndikuar në veprimtarinë politike të Veliajt, në veprimtarinë institucionale të Veliajt, në të drejtat dhe liritë themelore të Veliajt, me qëllim të fshehtë apo të hapur, sigurisht që do të përdoret në mbrojtje të interesave të Veliajt. Ne e kemi depozituar, avokatët britanikë e kanë depozituar ankimimin në Gjykatën e Strasburgut”, tha mes të tjerash Ndreca.