Aktualitet
Grabitën dhe dhunuan për vdekje të moshuarin, Prokuroria çon për gjykim tre të akuzuarit
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq tre të pandehurit, shtetasit M.G., E.H. dhe F.Ç., për veprat penale “Vjedhja me pasojë vdekjen” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 141 i Kodit Penal dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” parashikuar nga neni 278 prg.1 i Kodit Penal.
Nga hetimet e zhvilluara në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë në kuadër të procedimit penal nr.1394/2022, u arrit të provohet se, në datën 19.11.2022, rreth orës 02:00, në fshatin Klos, Bashkia Mallakastër, shtetasit M.G., E.H., F.Ç. në bashkëpunim me njeri-tjetrin, kanë vjedhur me armë banesën e shtetasit C. Sh., të cilin edhe e kanë dhunuar fizikisht. Si pasojë e plagëve të marra në pjesën e fytyrës dhe të trupit, shtetasi C. Sh ndërroi jetë.
Në përfundim të hetimeve organi i akuzës ka përpiluar edhe kërkesën për dërgimin e çështjes në gjyq në ngarkim të pandehurve M.G., E.H., F.Ç. për veprën penale “Vjedhja me pasojë vdekjen” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 141 i Kodit Penal dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” e parashikuar nga neni 278 prg.1 i Kodit Penal.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale kundër shëndetit të personit dhe pasurisë së tyre.