Bota
Presidenti amerikan: Zelensky dhe Putin “të bashkohen” për t’i dhënë fund luftës

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe presidenti rus, Vladimir Putin, do të duhet “të bëhen bashkë” për t’i dhënë fund luftës gati trevjeçare në Ukrainë.
“Mendoj se presidenti Putin dhe presidenti Zelensky do të duhet të bëhen bashkë. Sepse, a e dini çfarë? Ne duam t’iu japim fund vrasjeve të miliona njerëzve”, ka thënë Trump para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, pas betimit të Howard Lutnickut si Sekretar amerikan i Tregtisë.
“Mendoj se kemi shanse për të arritur marrëveshjen. Më është dashur të sigurohem që Rusia e kërkon atë”, ka thënë Trump, duke iu referuar një takimi për luftën në Ukrainë, që është mbajtur këtë javë mes zyrtarëve të lartë amerikanë dhe rusë në Riad të Arabisë Saudite.
Trump ka thënë, po ashtu, se nuk do të shkojë në Moskë më 9 maj për të shënuar përvjetorin e dhënies fund të Luftës së Dytë Botërore, dhe se Shtetet e Bashkuara janë afër nënshkrimit të marrëveshjes për minerale me Ukrainën.
“Jemi afër dhe mendoj se ata e duan këtë”, ka thënë Trump. “Është e rëndësishme, është marrëveshje e madhe”, ka thënë ai.

