Connect with us

Kosova

Gjermania pret formimin e shpejtë të qeverisë në Kosovë

Emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka theksuar nevojën për formimin e shpejtë të qeverisë së re në Kosovë. Në një intervistë për Deutsche Welle në gjuhën serbo-kroate, ai ka potencuar se pret nga ekzekutivi kosovar të angazhohet në mënyrë aktive në dialogun për normalizmin e raporteve me Serbinë.

“Do të ishte e dëshirueshme që një qeveri të formohej sa më shpejt dhe qeveria e re të angazhohej aktivisht në dialog. Natyrisht, këtë e presim edhe nga Serbia. Megjithatë, nuk na takon neve të vendosim se si do të vazhdojë procesi i formimit të qeverisë në Republikën e Kosovës. Ky është një vendim i marrë nga Kosova”, ka deklaruar Sarrazin

Ai gjithashtu ka komentuar emërimin e emisarit të ri të Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd, Peter Sorensen, duke shprehur besimin se diplomati danez do të sjellë ndryshime të rëndësishme në drejtimin e këtij procesi.

“Kemi një person të ri që do të udhëheqë procesin e dialogut në emër të BE-së. Bisedat e para me Sorensenin më kanë lënë një përshtypje shumë pozitive dhe ai do të vazhdojë të përqendrohet në dialog. Në të njëjtën kohë, ai do të përpiqet që të bëjë përparim të vërtetë në afrimin e Kosovës dhe Serbisë”, ka shtuar diplomati gjerman.

Ndryshe, në mars pritet që BE-ja të ndërmarrë hapa konkretë për funksionalizimin e dialogut Kosovë-Serbi, duke përfshirë angazhimin e mëtejshëm në nivelin politik dhe diplomatik. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, pritet të luajë një rol kyç në udhëheqjen e procesit të dialogut Kosovë-Serbi.

Advertisement