Shkrime
Njeriu që mund të udhëheqë Europën

Udhëheqësi i mundshëm i Gjermanisë flet për Ukrainën, shpëtimin e ekonomisë dhe mposhtjen e AfD-së, në një intervistë të veçantë për The Economist
I sigurt dhe i qeshur, Friedrich Merz jep një intervistë për The Economist në një resort luksoz golfi në Stromberg, një qytet i vogël në Rheinland të Gjermanisë, ku ai do të bëjë fushatë më vonë gjatë ditës.
Pak javë më parë, kreu konservator i Unionit Demokratik Kristian (CDU) u përfshi në polemika kur u lidh me partinë e skajit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD), për të siguruar miratimin për një projektligj që kërkonte kufizimin e emigracionit në Parlament.
Qindra mijë njerëz dolën të protestonin në rrugë. Por kjo duket se nuk i uli shanset e Merz. Ai thotë se çështja e emigracionit dhe ekonomisë janë thelbësore për të mbajtur partinë AfD jashtë pushtetit.
Zoti Merz është i gjatë, i dobët dhe shumë i drejtpërdrejtë, ndryshe nga kancelari i deritanishëm Olaf Scholz, të cilin Merz e rrëzoi nga pushteti. Fushata e tij energjike nuk të jep përshtypjen se është 69 vjeç.
Analistët e shqetësuar vënë në dukje se Europa rrezikon të mbetet pas, ndërsa Kina dhe Amerika po garojnë në industri të reja si Inteligjenca Artificiale.
Merz këmbëngul se Gjermania nuk ka zgjidhje tjetër veçse të ndryshojë. “Modeli i biznesit i këtij vendi është zhdukur”, thotë ai troç. Ai thotë se do të fillojë me një luftë kundër burokracisë.
“Duhet të bëjmë punë serioze për këtë barrë të burokracisë”, thotë ai, duke fajësuar njëkohësisht Brukselin dhe Berlinin. Kur i kërkuam të jepte shembuj, zoti Merz renditi një listë të rregullave problematike të BE-së, duke përfshirë standardet europiane të raportimit, që u prishin punë drejtuesve të bizneseve gjermane.
Së dyti, zoti Merz thotë se do të bëjë shkurtime edhe në sistemin e ndihmave sociale. “Duhet të përqendrojmë shpenzimet tona publike”, thotë ai. “Nuk duhet të paguajmë njerëz që nuk duan të punojnë”.
Për sa i përket energjisë, ai thotë se një tjetër pengesë për industrinë gjermane është reformimi i rrjetit energjetik dhe “se duhen ndërtuar të paktën 50 termocentrale me gaz”.
Merz thotë se tani për tani, vendi nuk do t’i rikthehet gazit rus, por ai është i hapur për nënshkrimin e kontratave afatgjata për gazin natyror të lëngshëm amerikan (që është i kushtueshëm). Do të shqyrtohet ndërtimi i centraleve të reja bërthamore.
Merz gjithashtu dëshiron të ulë taksat dhe të rrisë shpenzimet e mbrojtjes. Kur e pyetëm nëse i dilnin llogaritë për të gjitha këto, ai nuk u tregua konkret, por tha se vendi do të rritej ekonomikisht (Gjermania ka dy vjet në recension) dhe se “ka shumë hapësirë për ndryshime” në buxhetin federal prej 460 miliardë eurosh (474 miliardë dollarë).
Por shumë mendojnë se hendeku midis dëshirës dhe realitetit, duke përfshirë nevojat e mëdha të Gjermanisë për investime publike, do të lindë nevojën për zbutjen e frenës së borxhit, e cila e kufizon deficitin strukturor të qeverisë federale në 0.35% të PBB-së. “Jam i hapur për ta biseduar këtë”, thotë zoti Merz. “Por nuk do të jetë qasja jonë e parë”.
Për anëtarët e partisë CDU/CSU me qëndrime të rrepta fiskale, reformimi i kufirit të borxhit që është e vendosur me Kushtetutë do të ishte një hap tepër i madh.
Por Merz në përgjithësi nuk shihet si një politikan me bindje të skajshme. “Industria gjermane është ende e fortë”, këmbëngul ai. Pavarësisht kthesës proteksioniste të botës dhe rrezikut të tarifave nga Amerika, ai këmbëngul se modeli i eksportit gjerman mund të mbijetojë.
Edhe pse nuk i pëlqen ta përshkruajë si “lidership”, Merz dëshiron të rrisë ndikimin e Gjermanisë në Europë, diçka që Scholz nuk e ka bërë. Forcimi i zërit të Gjermanisë në BE, sipas tij, do të ketë të bëjë me politika të ndryshme, nga qasja ndaj Kinës, deri te mbështetja e ambicies së Emmanuel Macron-it për të forcuar industrinë e mbrojtjes së Europës.
Merz premton të ringjallë “trekëndëshin e Vajmarit” me Francën dhe Poloninë, në fushën e bashkëpunimit ushtarak, si dhe në projektet e përbashkëta të Inteligjencës Artificiale dhe informatikës kuantike.
Ai beson se do të punojë ngushtë edhe me Giorgia Meloni-n, kryeministren e krahut të djathtë të Italisë.
Në thelb, zoti Merz mbështet idenë e krijimit të “qarqeve të përqendruara” në Europë, ku disa shtete integrohen thellë, ndërsa të tjerë japin më pak sovranitet dhe marrin më pak përfitime nga tregu i përbashkët.
“Të jesh plotësisht brenda ose plotësisht jashtë, nuk është përgjigjja e duhur”, thotë ai, duke iu referuar lidhjes së Britanisë me BE-në. Ai beson se duhej të ishin bërë lëshime më të mëdha për lëvizjen e lirë të njerëzve, për të shmangur Brexit.
Për sa i përket Donald Trump, Merz thotë se qasja e drejtpërdrejtë e presidentit amerikan do t’i bëjë “shumë të lehta” përgatitjet për të biseduar me të. “‘Amerika e para’ nënkupton se ai është i përkushtuar të bëjë gjërat më të mira për vendin e tij”.
Brukseli duhet t’u përgjigjet tarifave të Amerikës mbi eksportet e BE-së, siç bëri gjatë mandatit të parë të Trump në vitin 2018, thotë Merz, “dhe përgjigjja duhet të jetë mjaftueshëm e fortë për të kthjelluar mendjet”.
Për sa u përket shpenzimeve të mbrojtjes, duke pasur parasysh se edhe arritja e nivelit prej 2% të PBB-së do të jetë mjaft e ndërlikuar për Gjermaninë sapo të skadojë një fond i posaçëm në vitin 2028, Merz nuk zotohet për shifra më të larta, megjithëse pranon se “duhen rritur” shpenzimet e mbrojtjes në një plan afatgjatë.
Po nëse Amerika këmbëngul që ai të lëvizë më shpejt? “Nuk është detyra ime të bëj të lumtur presidentin Trump”, thotë Merz.
Ndërkohë, thirrjet nga aleatët e BE-së për ndryshime në rregullat fiskale për të rritur shpenzimet e mbrojtjes, apo edhe huamarrjen e përbashkët, shihen me skepticizëm nga Merz.
“Jam shumë skeptik për këtë”, thotë ai. Ndryshimi i traktateve të BE-së është “jashtëzakonisht i ndërlikuar dhe nuk e shoh si mundësi në të ardhmen e parashikueshme”.
Merz mund të vihet në një provë të hershme kur të përballet me kërkesat amerikane që Europa të marrë përsipër garancitë e sigurisë për Ukrainën, në rast se do të kenë sukses bisedimet e paqes të shpallura nga Trump më 12 shkurt.
Në Konferencën e Sigurisë së Mynihut ai u takua me zyrtarë amerikanë, të cilët duan që homologët e tyre europianë të marrin më shumë përgjegjësi, siç është shprehur edhe zëvendëspresidenti amerikan J.D. Vance.
Sekretari i Mbrojtjes i Trump, Peter Hegseth, tha më 12 shkurt se “Amerika nuk do të tolerojë më një marrëdhënie të çekuilibruar që nxit varësinë”.
Zoti Merz, i cili dikur tha se “paqja mund të gjendet në çdo varrezë; vetëm nëse ka liri, do të ketë paqe”, pritet të jetë një kancelar i kujdesshëm.
Dërgimi i trupave paqeruajtëse në Ukrainë “mund të jetë një mundësi”, thotë ai, por “vetëm pas një armëpushimi të besueshëm”. Për sa u përket garancive të sigurisë që kërkon Volodymyr Zelensky, “një vend në luftë nuk është një anëtar i mundshëm i NATO-s”.
Më pas, Merz pranoi se përfundimisht do të dëshironte ta shihte Ukrainën si “një vend në paqe në NATO”, por shton se është shumë herët për të marrë parasysh pranimin e një vendi që nuk ka kontroll të plotë mbi territorin e tij, të paktën derisa Amerika të ketë qartësuar politikën e saj. Megjithatë, Merz i shikon me sy të mirë propozimet amerikane për të përdorur asetet e ngrira ruse për të ndihmuar Ukrainën.
Ngurrimi i zotit Merz është i kuptueshëm. Shpenzimet fiskale dhe vënia e trupave ushtarake në rrezik nuk janë politika të pëlqyera në Gjermani. Megjithatë edhe propozimet e tij, kanë të meta.
Politikat që ai ka kërkuar për kontrollin e kufijve dhe mospranimin e azilkërkuesve bien ndesh me pro-europianizmin e tij të shpallur.
Edhe kontrollet e tanishme të kufijve kanë prishur marrëdhëniet me Poloninë.
Nga ana tjetër, Merz mbështet propozimet e BE-së për të lehtësuar fluksin e kapitalit në tregun e përbashkët, por kundërshton atë që ai e quan blerje “jashtëzakonisht jomiqësore” të bankës gjermane Commerzbank, një nga huadhënësit më të mëdhenj të Gjermanisë, nga banka italiane UniCredit.
Modeli
Duke lënë mënjanë mbrojtjen e kampionëve kombëtarë, Merz ka treguar dëshirën për të injektuar në modelin gjerman, kapitalizmin e rreptë të stilit amerikan.
Ai ka punuar për një dekadë në sektorin privat, si kryetar i krahut gjerman të shoqërisë së menaxhimit të aseteve BlackRock. Njerëzit që e njihnin gjatë asaj kohe kur u bë multimilioner e përshkruajnë si një njeri të zgjuar me aftësi udhëheqëse.
Merz ka treguar elasticitet. Ai u shkëput nga politika në vitet 2000, pasi u mund nga Angela Merkel në një luftë për pushtet në partinë CDU. Por në vitin 2018, kur ajo dha dorëheqjen si udhëheqëse e partisë, Merz tronditi botën politike duke hyrë sërish në ringun politik.
Kandidatura e tij dështoi, po ashtu edhe një e dytë dy vjet më vonë.
Më në fund ai e arriti qëllimin. Megjithatë, ishte zhgënjyese paaftësia e tij për të rritur popullaritetin e partisë. Shumë mendojnë se koalicioni CDU/CSU duhet të jetë 30%, duke pasur parasysh vështirësitë e qeverisë në largim të zotit Scholz. Merz ka vështirësi me votueset femra dhe të rinjtë.
Dhe megjithëse u tregua serioz kur premtoi se nuk do të hynte kurrë në koalicion me AfD-në, më pak se gjysma e votuesve gjermanë e besojnë atë.
Siç theksojnë shpesh kundërshtarët e tij, Merz nuk ka drejtuar kurrë diçka më të madhe se blloku parlamentar i CDU-së. Por provat do të vijnë së shpejti.
Ai duhet të tërheqë ose socialdemokratët, ose të gjelbrit (ose të dyja grupet) në bisedimet e koalicionit, të cilat shpreson t’i përfundojë deri në ditën e Pashkëve (20 prill).
Ekipi i tij po përgatit furishëm një listë veprimesh të hershme për t’i provuar gjermanëve skeptikë se politika ende mund të arrijë gjëra. Në qershor, do të mbahen takimet e G7-ës dhe NATO-s.
Merz e mbyll intervistën me një vizion të zymtë për të ardhmen e Gjermanisë. Ai thotë se në një version ideal, ekonomia dhe emigracioni do të arrijnë të rregullohen duke e mbajtur nivelin e popullaritetit të partisë së skajshme AfD nën 5%, që është pragu i nevojshëm për të hyrë në parlament. Nëse dështon, pritet një e ardhme më e zymtë.
“Kjo mund të jetë një nga mundësitë tona të fundit për të zgjidhur problemet përpara se populistët të fitojnë një shumicë”, paralajmëron Merz. Republika gjermane ka qenë prej kohësh një nga bastionet më të forta të Europës kundër së djathtës së skajshme.
Për disa, veprimet e zotit Merz e kanë dobësuar këtë mur pengues. Ndërsa njeriu që ka të ngjarë të marrë frenat e ekonomisë më të madhe të Europës, mendon se ai vetë është shansi i fundit.

