Bota
Putin shkel marrëveshjen me Trump në kohë rekord, sulme të reja në Ukrainë

Rusia dhe Ukraina kanë vijuar sulme ajrore që dëmtuan infrastrukturën e njëra-tjetrës, vetëm pak orë pasi presidenti rus Vladimir Putin ra dakord me liderin amerikan Donald Trump se Rusia do të ndalonte shënjestrimin e objektivave energjetike të Ukrainës.
Përmes një njoftimi në rrjetet sociale presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se avionët rusë kishin në shënjestër këtë herë spitale dhe rrjete të furnizimit me energji elektrike. Zelensky shtoi se Rusia lëshoi më shumë se 40 dronë kundër Ukrainës në orët pas telefonatës midis Trump dhe Putin teksa theksoi se kishte shkelur një armëpushim të menjëhershëm 30 ditor.
Një ditë më parë sipas një deklarate të Kremlinit u lajmërua se Putin kishte rënë dakord të pezullonte sulmet ndaj objektivave energjetike të Ukrainës për një periudhë 30-ditore, por ka kërkuar ndalimin e furnizimit me armë të Kievit nga Perëndimi.
Gjithashtu sipas Moskës, u arrit edhe dakordësia për një shkëmbim të burgosurish me Ukrainën (nga 175 secili vend) si pjesë e përpjekjeve për uljen e tensioneve.
Bisedimet e SHBA-së për një armëpushim në Ukrainë do të vazhdojnë të dielën në Jeddah të Arabisë Saudite.

