Connect with us

Shkrime

Inercia e Ramës dhe qetësia e PD-së

Nga Ben Andoni

Pasaporta evropiane në vitin 2030, e ardhmja dhe më pak detyrat që mbetën pa u bërë nga mandatet e shkuara janë ato me të cilat kryeministri Rama po përball publikun në daljet e tij të përditshme. Shpjegon me detaje identikitin e pasaportës evropiane dhe rrugën e Shqipërisë, por aspak pse Shqipëria është ende aq e varfër dhe pse shqiptarët vazhdojnë e ikin. Me durimin që vjen nga etja e pashuar për pushtet shmang ofendimet e individëve, “paqartësitë” e tyre dhe mundohet t’u tregojë se rruga e Shqipërisë është inerci drejt Evropës. Është aq bindës, saqë të duket që Shqipëria është tashmë e integruar, janë mbyllur grup-kapitujt dhe në diskutim janë vetëm modalitetet.
Tek PD-ja po pritet heqja e non-gratës së Berishës, madje dy eksponentë të Demokratëve, Këlliçi dhe Harxhi e kanë bërë fakt (!) dhe argumenti pas shpjegimeve është se do fitojnë pasi është vetë Rama me drejtimin e tij katastrofik, i cili po ua jep këtë mundësi të vinë në pushtet. Madje, ardhja në pushtet është e padiskutueshme, vetëm “nëse nuk do vidhet vota“. Për këtë është kujdesur vetë Berisha që cilëson dhe ka kërcënuar këdo që do guxojë. Epilogu dihet në rast humbje: Na vodhën!
Partitë e vogla merren me dy partitë kryesore ndërkohë që kanë gjetur kohë dhe për shpalosjen e ideve të tyre, ku shquan Shehaj me “masat trampiane drastike” dhe Lapaj e Shabani me idenë e bërjes së Shqipërisë. Të Djathtët e Shehit dhe Alibeaj vazhdojnë punën në terren duke bërë përballjen e parë bio të tyre, ndërsa Qorri vazhdon me stoicitetin e ideve të veta dhe besimin që do përcjellë elektorati i tij, të cilin mëton se e ka besnik.
Ajo që të bie në sy është një fushatë e vakët dhe përpjekja vetanake e kandidatëve në terren, ku kanë filluar përplasjet e para për ekzistencë brenda llojit dhe mbi të gjitha lufta e nëndheshme për mbijetesën në xhunglën politike.
Partia Demokratike duket sikur e ka “fituar” maxhorancën në parlamentin e ardhshëm dhe është krejt e qetë, ndërsa pret edhe de jure që non-grata e Berishës të hiqet. Pa dashur të spekulojmë, tashmë gjithçka mund të ndodhë nga administrata Trump [mbase po ruhet si asi nën mëngë shfuqizimi i këtij vendimi (!)] dhe kjo vërtetë mund t’i trandë zgjedhjet shqiptare, kurse PS-ja vazhdon e qetë me inercinë e saj, ku nuk ka program por të ardhme, që materializohet me pasaportën e BE-së. Atë që të Majtët dinë ta bëjnë edhe më mirë se cilido: Të shesësh formën për përmbajtje. Por, ky është edhe fenomen te PD-ja. Dhe, kjo tregon më së miri origjinën e vërtetë të këtyre dy partive.

Advertisement