Kosova
Isa Mustafa për ngërçin politik: Zgjedhjet e reja alternative, rreziku u takon partive, ato duhet të maten

Ish-kryeministri Isa Mustafa ka deklaruar se zgjedhjet eventuale ne Kosove nuk duhet të shihen si rrezik, por si një alternativë në rast se partitë politike nuk arrijnë të konstituojnë Kuvendin.
Ai theksoi gjithashtu se përgjegjësia bie mbi subjektet politike, të cilat duhet të tregojnë maturi dhe të ulen për të gjetur një zgjidhje.
”Zgjedhjet i shoh si alternativë. Jo si rrezik. Rreziku iu takon partive, ato duhet të maten. Por ka hapësirë që subjektet politike të ulen bashkërisht dhe t’i ofrojnë zgjidhje vendit. Të heqin dorë nga deklaratat që pamundësojnë bashkëpunim. Edhe në të kaluarën nuk jemi pajtuar ndërmjet veti, por kemi komunikuar, kemi krijuar hapësirë dhe kushte të bisedojmë, pa marrë parasysh epilogun” – deklaroi Mustafa duke potencuar- ”Në këtë situatë asnjë parti nuk është në pozitë dhe as në opozitë. Shanset për ta bërë qeverinë i kanë përafërsisht të njëjta, hezitimin e kanë, po ashtu, përafërsisht të njëjtë. Nuk shoh përfitime të askujt nga kjo situatë kaosi. S’mund të përfitojë asnjë parti nëse vendi dëmtohet”.

