Shkrime
Idiotët e dobishëm dhe asgje e re nga militantët socialistë në drejtësinë e re shqiptare

Nga Jamarbër Malltezi
Sipas ligjit, është detyrë e prokurorisë të përcaktojë veprimet konkrete individuale dhe provat ndaj secilit që mund të ketë lidhje shkakësore të drejtpërdrejtë me pasojën që kërkon të individualizojë. Gjithashtu, gjyqtarja e procedurës paraprake duhet të sigurohet që këto elemente ekzistojnë dhe të korrigjojë çdo falsifikim apo gabim. Por ligji është një “teknikalitet” i panevojshëm përpara urdhrit të Edi Ramës – ndaj SPAK nuk e kryen këtë detyrë dhe gjyqtarja e nënshtruar mbyll sytë. E gjithë aktakuza nuk ka asnjë provë apo veprim të individualizuar për askënd. Nuk ka asnjë dëshmi, asnjë shkelje ligjore, dhe aq më pak ndonjë fakt penal. Kjo është e papranueshme në një shtet ligjor.
Për turpin e saj, gjyqtarja e nënshtruar politikisht as nuk mori mundimin të kërkojë korrigjime në aktakuzë, e jo më ta kthente çështjen për hetime. Urdhëruesit e saj e dinë se Irena ka skaduar dhe nuk mund të ushtrojë më funksionin si gjyqtare, pas daljes së vendimit penal të gjykatës greke. Fjorela Davidhi ndjek urdhrin politik dhe jo ligjin si udhëzues në punën e saj. Ndaj vendosi të kapërcejë pavlefshmërinë e procesit hetimor të zhvilluar nga Irena Gjoka, e cila nuk përmbushte kushtet e gjykatës së caktuar me ligj, pasi ka qenë person i dënuar penalisht më parë.
Aktakuza përmban gënjeshtra dhe falsifikime të dukshme: shkruhet se VKM-ja për bonot e privatizimit u shfuqizua 7 muaj më pas, ndërkohë që pika që kishte të bënte me pronarët kurrë nuk është shfuqizuar.
Aktakuza gënjen më tej sikur destinacionin e tokës e ndryshoi Berisha, ndërkohë që në dosje rezulton se e ka ndryshuar Edi Rama – qofshin 17,200 m² në vitin 2004, qofshin 7,000 m² në 2006, apo gjithë zona e klasifikuar si “zhvillim i ri” me parametra të lartë urban me vendimin e KRRT-së nr. 238, datë 27.12.2008.
Militantë socialistë janë përdorur si “ekspertë” – për shembull, babai i militantit të PS-së të emëruar në BKH, A. Zyba, u përdor si topograf ndonëse nuk ka licencë si gjeodet/topograf. Edhe çështja e pronësisë që ngriti Taulant Balla rezultoi mashtrim, por drejtësia e regjisë mbyll sytë e veshët.
Quhet përfitim personal i Sali Berishës sponsorizimi privat i dy këngëtarëve – por sa paska përfituar Berisha pa asnjë lek publik? Ndërkohë, Edi Rama nxori 7 milionë euro nga paratë publike vetëm 2 ditë para zgjedhjeve për Giro d’Italia dhe bllokoi trafikun e gjithë opozitës, ndërsa SPAK nuk bën as “gëk” e as “mek”!
Quhet përfitim personal edhe bamirësia për trajtimin e fëmijëve autikë. Edhe pagesat që i ka kryer e bija nga llogaria e saj personale për shëndetin, quhen përfitim i Berishës.
Të gjitha këto janë deklaruar në organet përkatëse shtetërore si ILDKPI, banka dhe tatime, sipas ligjeve përkatëse për transparencën.
Prona iu kthye qindra trashëgimtarëve të pesë familjeve pronare, të vërtetuara katërcipërisht, njësoj siç janë kthyer pronat e vjedhura nga regjimi komunist për mbi 510,000 pronarë të tjerë, pa pasur ndonjë ligj apo VKM personale siç bën Edi Rama për Olsin, Bolinon, Xhaçkën, Hajdarin etj.
Pronarët brez pas brezi kanë zhvilluar pronën private me fonde private dhe të deklaruara sipas çdo kërkese ligjore. Në këto 13 vite janë kryer disa kontrolle nga institucionet e Edi Ramës, përfshirë Ministrinë e Mbrojtjes, tri herë Tatimet, Drejtorinë e Parandalimit të Pastrimit të Parave – dhe kanë gjetur gjithçka të rregullt.
Në mungesë të fakteve, prokurorët politikë u bënë lolo dhe detyruan gjithë sistemin e drejtësisë të kthehet në maskaradë.
Çdo shqiptar e di se gjyqtarët dhe prokurorët i kaluan “vetingun” motra e Ballukut, prokurorët i caktoi kunati i Mimi Kodhelit, inspektimin e gjyqtarëve e kryen vëllai i ministres tjetër të Edi Ramës. Dhe të gjithë e kujtojmë urdhrin e Edi Ramës ndaj SPAK në Kongresin e PS (09.04.2022) dhe në Asamblenë e PS (07.05.2022) për të proceduar penalisht Sali Berishën. Brenda tre javësh nga urdhri, SPAK dërgoi një “karikator” me 15 kërkesa për të gjitha institucionet, duke kërkuar informacion jo për një çështje të caktuar, por për gjithçka në 30 vite dhe për tri breza – deri tek mbesat ende të palindura të Sali Berishës.
Strasburgu e ka cilësuar si “Leading Case” çështjen e masave ndaj Berishës (deri tani janë dërguar vetëm masa kundërligjore) dhe ka dërguar disa pyetje Shqipërisë. Për turpin e tyre, zyrat shtetërore shqiptare kanë dërguar përgjigjet me 6 javë vonesë nga afati 16-javor, vetëm që Strasburgu të mos shprehej para zgjedhjeve të 2025-ës.
Nuk ka shqiptar që nuk e di se Edi Rama kontrollon gjyqtarët dhe prokurorët, vendos se kush nga të vetët do të arrestohet, kur dhe për çfarë. Dhe çdo shqiptar e ka parë se si prokurorë e gjyqtarë kthehen në “idiotë të dobishëm” sa herë që Edi Rama shkel ligjin, duke grabitur toka për veten, Olsin, Bolinon, etj.
Sot u dëshmua standardi i dyfishtë i gjyqtares së Rilindjes: ndërkohë që vendosi të mos e kthejë për hetim një çështje që nuk ka fare hetim (pasi të gjitha aktet janë nul, sepse çdo vendim i Irena Gjokës është nul sipas nenit 128/a të KPP), e njëjta gjyqtare në çështjen e Vangjush Dakos e ktheu për hetim, pa e kërkuar fare Dako.
Po ky sistem drejtësie me regji mbyll sytë dhe nuk nis procedim penal, edhe kur është provuar me vendim gjykate të formës së prerë që Edi Rama ka shpërdoruar detyrën dhe ka shkaktuar 340,000 € dëm. Edhe kur provohet kallëzimi i rremë i Taulant Ballës, apo shpërdorimi i detyrës nga prokurorë të urdhëruar – heshtje totale.
Nuk ka ende asnjë përgjigje për 430 milionë € të inceneratorëve që nuk ekzistojnë; as për përgjegjësinë penale të Edi Ramës dhe kaporegioneve të tij, që për një ditë kaluan 9 procedura me 18 firma; që injoruan shkresën e drejtorit të APP-së për procedurë joligjore. Asnjë
përgjegjësi për vjedhjet 140 milion € me checkup imagjinar, për vjedhje 50 milion € veç me një lëvizje tek Tuneli i Llogorasë, nuk ka asnjë përgjegjës për 85 milion € vjedhje për anijet TEC, për landfill inekzistent në Vlorë, etj. Po ky sistem arreston pa fakt penal fare, pa asnjë shkelje ligjore, thjesht kthim i pronës private të vjedhur nga hajdutët dhe zhvillim të pronës private nga pronarët e saj dhe jo nga hajdutët strategjikë të kryehajdutit Edi Rama.

