Bota
Nga lufta e doganave tek paqja me marrëveshje tregtare, Trump “zbut” tonet me Xi Jinping

Nga lufta e doganave tek paqja e vulosur me një marrëveshje tregtare, marrëdhëniet SHBA-Kinë pësuan së fundi një zbutje të beftë.
Në përplasjen me Washingtonin, Pekini kishte vendosur tarifa drastike doganore për metalet e rralla, çka ndikoi edhe tek kompanitë e BE. Tani, përfaqësuesit e SHBA dhe Kinës kanë rënë dakord të lehtësojnë tarifat.
Sipas informacioneve të të dyja palëve, Kina dhe SHBA kanë rënë dakord të heqin disa kufizime tregtare.
Ministri i Tregtisë i SHBA, Howard Lutnick, konfirmoi në një intervistë me agjencinë financiare të lajmeve Bloomberg se marrëveshja me Kinën ishte nënshkruar. Sipas tij, Kina do të furnizojë SHBA me metale të rralla dhe SHBA do t’u japë fund kundërmasave të saj.
Sipas Ministrisë së Tregtisë në Pekin, Kina do të shqyrtojë aplikimet për eksport për “produkte të kontrolluara” dhe do të miratojë ato që përputhen me rregulloret.
Në këmbim, SHBA thuhet se do të heqë një sërë “masash kufizuese” kundër Kinës. Pak para konfirmimit të Lutnick-ut, Presidenti i SHBA, Donald Trump, kishte pohuar se ishte nënshkruar një marrëveshje me Kinën, por la shumë pyetje pa përgjigje.
Ai gjithashtu la të kuptojë se “ndoshta” mund të ketë një “marrëveshje të madhe” me Indinë. Konflikti i zgjatur tregtar midis dy ekonomive më të mëdha në botë, Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, po e mban ekonominë globale në ankth.
Ndërkohë, Trumpi kishte rritur tarifat ndëshkuese doganore për importet kineze në SHBA në disa faza deri në 145%.
Pekini, nga ana e tij, ishte përgjigjur me tarifa prej 125% dhe kishte futur kontrolle eksporti mbi metalet e rralla të rëndësishme industriale dhe magnetet e bëra prej tyre. Kina ka thuajse një monopol mbi këto lëndë të para.

