Kosova
‘Të papranueshme’/ Osmani reagon ashpër ndaj thirrjeve antishqiptare në Kumanovë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar me shqetësim të thellë pas thirrjeve antishqiptare që u dëgjuan gjatë ndeshjes së futbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, e zhvilluar në Kumanovë.
Në një deklaratë zyrtare, Osmani i ka cilësuar thirrjet ekstremiste dhe diskriminuese si “të papranueshme dhe në kundërshtim të plotë me frymën e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë”, që sipas saj duhet të karakterizojë çdo shoqëri që synon integrimin në Bashkimin Evropian.
Presidentja theksoi se shqiptarët janë popull autokton në trojet e tyre dhe meritojnë trajtim me dinjitet dhe barazi, ashtu si çdo komunitet tjetër në rajon.
“Më shqetësues është heshtja e zyrtarëve të lartë shtetërorë në Shkup, të cilët nuk kanë reaguar ndaj kësaj gjuhe përjashtuese e urrejtjeje,” – thuhet në deklaratën e Osmanit. Ajo paralajmëron se mungesa e një reagimi institucional krijon hapësirë për retorika që minojnë paqen dhe tolerancën ndëretnike
Osmani theksoi gjithashtu rolin që sporti duhet të luajë si urë bashkimi, jo si platformë për nxitjen e urrejtjes. “Sporti duhet të frymëzojë solidaritetin dhe mirëkuptimin, jo të shndërrohet në arenë për ideologji përçarëse që kujtojnë periudha të errëta të historisë sonë,” u shpreh ajo.
Në përfundim, Presidentja e Kosovës u bëri thirrje autoriteteve në Maqedoninë e Veriut që të ndërmarrin masa të menjëhershme ndaj organizatorëve dhe përgjegjësve për këtë ngjarje, duke kërkuar ndëshkimin e çdo forme të gjuhës së urrejtjes dhe mbrojtjen e parimeve të bashkëjetesës demokratike.
“Republika e Kosovës do të mbrojë me vendosmëri dinjitetin dhe të drejtat e shqiptarëve, kudo që ata jetojnë,”përmbyll deklaratën Presidentja Osmani.

