Connect with us

Politike

Rama publikon video nga largimi i varrezave të makinave: Vatra ndotjeje që do t’ia lenë vendin gjelbërimit

Kryeministri Edi Rama, përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, njoftoi se Agjencisë së Aseteve të Sekuestruara ka nisur punën për ‘zhdukjen’ e varrezave të makinave në qytetet e vendit.

Rama thotë se hapësirat ku ndodheshin makinat e vjetra, do t’i kthehen komunitetit, ndërsa automjetet ende të përdorshme do t’i kalojnë institucioneve shtetërore.

“Më në fund, falë angazhimit të Agjencisë së Aseteve të Sekuestruara, i erdhi fundi edhe varrezave të ‘provave’ që e nxinë jetën dhe nuk kishte zot që i shkulte nga kthetrat e burokracisë, duke grumbulluar për 30 e kusur vite në çdo bashki qendër qarku të Shqipërisë sasi të frikshme teneqerash e ndryshqesh; vatra ndotjeje të madhe që do t’ia lenë vendin gjelbërimit a projekteve të dobishme për komunitetin, ndërkohë që automjetet ende të përdorshme do t’i kalojnë institucioneve shtetërore“, shkruan Rama.

Tri javë më parë, gjatë një takimi për reformën në Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve përmes një pakete të dedikuar ndërhyrjesh ligjore dhe investimesh, Kryeministri Edi Rama tha se do të largohen të gjitha varrezat e makinave në territorin tonë.

“Jemi në një situatë tërësisht primitive në raport me ndarjen në burim të mbetjeve në raport me përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesve, ku përfshihen ambalazhet plastike, letrat, qelqi, pajisjet elektrike, elektronike, bateritë, automjetet në fund të jetës. Jemi i vetmi vend në Europë që varrezat e makinave i kemi të ligjëruara pa ligj, por me vullnetin e Maliqit në territor si fakte të kryera dhe ky do të jetë një operacion që sapo ka nisur dhe do të vazhdojë për shkuljen e të gjithë këtyre varrezave”, tha Rama.

Advertisement