Politike
PD drejt Kushtetueses/ Opozita kërkon shkarkimin e tij, Peleshi i thërret nesër në mbledhje…

Ende pa u zbutur irritimi i demokratëve ndaj mazhorancës e cila miratoi e vetme komisionet e reja parlamentare, kreu i Kuvendit Niko Peleshi, ka thirrur në një takim krerët e grupeve parlamentare, me qëllim që të plotësohen karriget bosh të anëtarëve të 11 komisioneve të përhershme, në mënyrë që ato të nisin punën.
Kuvendi ka njoftuar zyrtarisht thirrjen e Konferencës së Kryetarëve nesër në orën 11:00 me rendin e ditës “Miratimin e listës së anëtarëve dhe anëtarëve zëvendësues të komisioneve të përhershme të Kuvendit”.
Kjo lëvizje pritet të rikthejë debatet mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, e cila me gjasë nuk do t’i dërgojë emrat nga radhët e saj pasi kundërshton ndryshimin e njëanshëm të rregullores së Kuvendit që çoi në ndarjen 7 me 4 të komisioneve të përhershme.
PD i ka caktuar drejtuesit e 4 komisioneve parlamentare që i takojnë asaj dhe nënkryetarët e atyre që drejtohen nga mazhoranca, por këto emra nuk janë votuar pasi selia blu nuk i dërgoi zyrtarisht në Kuvend.
Miratuar në seancë plenare, janë vetëm emrat e kryetarëve dhe zv/kryetarëve të komisioneve nga radhët e socialistëve, ndërsa me plotësimin edhe me anëtarë këto komisione bëhen plotësisht funksionale.
Nga ana tjetër selia blu, ka paralajmëruar edhe dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mosrespektimit të afateve të votimit të arkitekturës së re të Kuvendit.
Të hënën pritet që PD të parashtrojë në Konferencën e Kryetarëve edhe kërkesën për anulimin e seancës së votimit pa debat të qeverisë, por edhe mocionin për shkarkimin e Niko Peleshit, kjo gjithnjë në rast se PD nuk do të bojkotojë mbledhjen.
KOMISIONET NËN DREJTIMIN E PS DHE EMRAT E KRYETARËVE:
Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat – Do të drejtohet nga Milva Ekonomi
Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike – Do të drejtohet nga Ulsi Manja
Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes – Do të drejtohet nga Bledi Çuçi
Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm – Do të drejtohet Anila Denaj
Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural – Do të drejtohet Blendi Klosi
Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme – Do të drejtohet nga Igli Hasani
Komisioni për Nismat qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen institucionale – Do të drejtohet nga Fatmir Xhafaj
KOMISIONET NËN DREJTIMIN E PD:
Komisioni për Edukimin, Shkencën dhe sportet – Do të drejtohet nga Luçiano Boci, Evis Kushi (PS) Nënkryetare
Komisioni për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale- Do të drejtohet nga Ina Zhupa, Eduard Shalsi (PS) Nënkryetar
Komisioni për Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik – Do të drejtohet nga Jorida Tabaku, Iris Luarasi (PS) Nënkryetare
Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën – Do të drejtohet nga Bardh Spahia, Erjon Malaj (PS) Nënkryetar

