Politike
Ankimimi i Ramës për Ballukun mbetet pezull/ GJK do të vendoste nesër, shtyhet data: Kemi tjetër agjendë
Ditën e nesërme 4 dhjetor, pritej që Gjykata Kushtetuese të vendoste nëse ankimi i kryeministrit Edi Rama për vendimin e GJKKO, e cila pezulloi nga detyrat zv.kryeministren dhe ministren Belinda Balluku, do të kalojë për shqyrtim. Por seanca është shtyrë dhe tetë gjyqtarë të cilët do të marrin një vendimmarrje për kërkesën paraprake të qeverisë, për pezullimin e vendimit të GJKKO-së për Ballukun, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga Kushtetuesja do të mblidhen më 12 dhjetor.
Gjykata Kushtetuese arsyeton se për shkak të kompleksitetit të çështjes, volumit të materialeve shoqëruese, agjendës së Gjykatës Mbledhja e Gjyqtarëve do të zhvillohet më 12 dhjetor.
Njoftimi: Në vijim të njoftimeve të mëparshme për çështjen me kërkues Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Gjykata informon se shqyrtimi paraprak i çështjes nga Mbledhja e Gjyqtarëve do të bëhet në datën 12.12.2025 për shkak të kompleksitetit të çështjes, volumit të materialeve shoqëruese, agjendës së Gjykatës si dhe mbështetur në kërkesën e disa prej anëtarëve të saj.
Konkretisht për moskalimin e ankimimit për shqyrtim duhet “shumicë votash”. Nëse nuk kapet shumica prej 5 votash në favor të mosshqyrtimit, çështja i kalon automatikisht seancës plenare.
Sa i përket ankimimit të qeverisë në Kushtetuese, kryeministri Edi Rama kërkon shfuqizimin e vendimit. Në kërkesën drejtuar Kushtetueses, qeveria kërkon pezullimin e vendimit të GJKKO vetëm për pjesën e pezullimit nga detyra të Belinda Balluku, teksa argumenton se ky vendim sjell pasoja të rënda të interesit shtetëror e shoqëror.
Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit vendosi për pezullim nga detyra të zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ndalim daljeje jashtë vendit. Gjykata arsyetoi se vendimi erdhi pasi Balluku mund të prishë provat dhe të intimidojë dëshmitarët, në sajë të detyrës që mban. Balluku me vartësit e saj akuzohen se kanë paracaktuar fituesit në dy tenderë me vlerë 210 mln euro, atë të Tunelit të Llogarasë 190 mln euro dhe loti 4 i Unazës së Madhe 20 mln euro. GJKKO ka caktuar edhe arrest shtëpie për kreun e ARRSH-së, Gentian Gjyli dhe Erald Elezin, aktualisht drejtor i KESH.