Connect with us

Politike

ILIR META KERKESE PUBLIKE PER GJKKO

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i është drejtuar Gjykatës së Posaçme GJKKO me një kërkesë publike për të garantuar transmetimin e drejtpërdrejtë të të gjithë seancave të procesit të mbajtur ndaj tij.
“Në respekt të qytetarëve shqiptarë dhe të gjithë bashkëkombësve, kudo që ndodhen, të cilëve u kam shërbyer me përkushtim, përgjegjësi maksimale dhe ndjenjë të thellë patriotizmi në detyrat më të larta shtetërore (President i Republikës, Kryetar i Kuvendit dhe Kryeministër), i drejtohem sot Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me kërkesën publike për të garantuar transmetimin e drejtpërdrejtë (live) të të gjithë këtij procesi, nga seanca e parë, të hënën, më datë 27 prill 2026 dhe deri në fund”, thuhet në nisje të kërkesës së tij.
Meta vijon duke thënë se “në funksion të informimit publik, të gjithë gazetarëve dhe mediave të interesuara duhet t’ju garantohet sinjali i transmetimit (live)”.
Sipas tij, transparenca përpara qytetarëve shqiptarë dhe llogaridhënia është detyrim për çdo institucion dhe çdo funksionar publik.
Një kërkesë e ngjashme ka qenë edhe pak ditë më parë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ka paraqitur një kërkesë zyrtare pranë Gjykata Administrative e Shqipërisë për lejimin e transmetimit të drejtpërdrejtë të seancave gjyqësore ku ai është palë.
Në kërkesën e depozituar, Veliaj argumenton se parimi i transparencës në gjykim duhet të zbatohet në mënyrë reale dhe efektive, dhe jo vetëm në nivel deklarativ. Sipas tij, kufizimi i ndjekjes së seancave vetëm përmes pranisë fizike të publikut nuk përmbush standardet moderne të aksesit dhe informimit.
Ai thekson se transmetimi live do t’i jepte publikut mundësinë të ndjekë në kohë reale zhvillimet e çështjes, duke rritur besimin në procesin gjyqësor dhe duke shmangur keqinterpretimet apo ndërmjetësimet e informacionit.
Në kërkesë përmendet edhe praktika e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, e cila tashmë transmeton publikisht seanca të caktuara, si një standard që sipas tij dëshmon se transparenca e plotë është e mundur dhe e pajtueshme me funksionimin normal të drejtësisë.
Veliaj argumenton se një qasje e ngjashme duhet të aplikohet edhe në gjykatat e tjera, veçanërisht në raste me interes të lartë publik, duke përfshirë çështje ku janë të përfshirë figura publike dhe institucione të rëndësishme.
Ai shton se, për shkak të rolit të tij publik dhe interesit të gjerë që ka çështja, çdo kufizim i transparencës do të cenonte të drejtën e qytetarëve për informim dhe do të ndikonte në perceptimin e drejtësisë.

Advertisement