Politike
Avokati i Veliajt flet pas shtyrjes së seancës: KLP nuk është mbledhur asnjëherë për çështjen!
Pas përfundimit të seancës gjyqësore, avokati mbrojtës i kryebashkiakut Erion Veliaj, Plarent Ndreca, deklaroi për mediat se Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk është mbledhur asnjëherë për çështjen që lidhet me prokurorin Ols Dado, duke pretenduar se mungon një vendim kolegjial për këtë rast.
Sipas Ndrecës, ekziston vetëm një shkresë pa autorizimin e KLP-së, të cilën, sipas tij, gjykata nuk duhet ta kishte injoruar. Ai tha se mbrojtja kërkoi që kamerat e seancës të transmetoheshin online, bazuar në parashikimet ligjore, por kërkesa u refuzua.
“Refuzimi u mbështet në një udhëzim të KLGJ, i cili nuk mund të jetë mbi dispozitat kushtetuese dhe ligjore”, u shpreh ai.
Avokati deklaroi më tej se në gjykim ekziston një “presion i jashtëzakonshëm”, duke pretenduar se po tentohet të shmanget shqyrtimi i plotë i çështjes
Sipas tij, nënkryetari i Këshilli i Lartë i Prokurorisë është shprehur në mënyrë të paligjshme në emër të organit kolegjial, ndërsa shtoi se ka referuar para gjykatës dy vepra penale që lidhen me këtë proces.
Në deklaratën e tij, Ndreca pretendoi gjithashtu se ekziston një “harmonizim institucional” për të mbrojtur prokurorin Ols Dado, duke theksuar se KLP duhet të ishte institucioni më i interesuar për verifikimin e integritetit të prokurorëve.