Aktualitet
Çfarë ndodhi mes Izraelit dhe Kroacisë në Eurovision: Postimi viral që shkaktoi shumë polemika
Një moment i papritur ka shkaktuar polemika gjatë performancave në Eurovision Song Contest 2026, pasi transmetuesi publik izraelit Kan u detyrua të kërkonte falje publike ndaj grupit kroat Lelek, pas një postimi satirik që u konsiderua ofendues.
Gjithçka nisi pas gjysmëfinales së 70-të të Eurovision-it në Vjenë, kur llogaria zyrtare e Kan në platformën X publikoi një meme ku shfaqej grupi Lelek, i njohur për performancën e tyre me tatuazhe artistike në fytyrë.
Në postimin në hebraisht, transmetuesi shkroi:
“Kur e tepron me tatuazhet me këna”, duke ironizuar pamjen e këngëtareve.
Megjithatë, reagimi nga grupi kroat ishte i menjëhershëm. Përmes një InstaStory, anëtaret e Lelek u shprehën se ishin “të tronditura” nga komentet e transmetuesit izraelit, duke theksuar se postimi tallej me kulturën e tyre dhe me simbolikën pas pamjes artistike që kishin zgjedhur.
“Na shqetësuan komentet e bëra nga KAN, ku u tall kultura jonë dhe sakrificat e grave katolike të shtypura”, shkroi grupi.
Ato shtuan gjithashtu se ishte veçanërisht problematike që të ironizoheshin gra që këndojnë për dhimbjen dhe vuajtjen femërore, ndërkohë që, sipas tyre, mungonte empatia dhe respekti për vuajtjen e të tjerëve.
Pas reagimeve, Kan e fshiu menjëherë postimin dhe publikoi një deklaratë zyrtare për mediat, ku kërkoi falje.
“Nuk kishte asnjë qëllim për të ofenduar delegacionin kroat apo publikun kroat. E hoqëm menjëherë postimin dhe kërkojmë ndjesë”, thuhej në reagim.
Edhe vetë grupi Lelek duket se më pas e ka fshirë postimin e tyre në Instagram, duke nënkuptuar se situata ishte sqaruar.
Pavarësisht polemikës, si Noam Bettan ashtu edhe grupi Lelek arritën të kualifikohen në finalen e madhe të Eurovision 2026, që do të mbahet të shtunën në Vjenë.