Aktualitet
Rikthehet murtaja e bagëtive të imëta në Shkodër, ngordhin dhjetëra krerë
Në qarkun e Shkodër është rikthyer murtaja e rumitantëve të vegjël pas afro një viti, duke prekur njësinë administrative Dajç. Për këtë arsye, Ministria e Bujqësisë ka nxjerrë urdhër për vendosjen në karantinë të zonës në një rreze prej 3 deri në 10 kilometrash.
Rasti i parë për këtë vit është konstatuar në fshatin Mali i Gjymtit. Rreth 20 krerë dele të fermerit Sokol Volaj janë groposur, ndërsa pritet asgjësimi edhe i afro 60 krerëve të tjera. Rasti është konfirmuar zyrtarisht prej tre ditësh.
Dëmi i shkaktuar fermerit Volaj konsiderohet i madh, pasi llogaritet rreth 10–15 milionë lekë të vjetër, ndërsa ai shpreson të dëmshpërblehet.
Ndërkohë, administratori i njësisë administrative Dajç, Broz Pjetrani, thotë se ka dyshime për raste të tjera të murtajës tek bagëtitë e imta në këtë zonë, ndaj do të kryhen inspektimet dhe analizat përkatëse.
Përveç Dajç, Drejtoria Rajonale e Ekstensionit Bujqësor në Shkodër ka nisur kontrolle edhe në zona të tjera për shkak të rrezikut të përhapjes së sëmundjes. Murtaja prek kafshët, por nuk transmetohet tek njerëzit.
Vitin e kaluar në Shkodër u konstatuan tre raste të tilla, duke çuar në asgjësimin e bagëtive të imta dhe vendosjen në karantinë të zonave të prekura, sipas afateve ligjore të përcaktuara.