Aktualitet
Kremtohet Kurban Bajrami në Bulqizë, qindra besimtarë bëhen bashkë në aktivitete dhe rite fetare
Në kuadër të festës së shenjtë të Kurban Bajramit, në të gjithë rrethin e Bulqizës janë zhvilluar aktivitete dhe rite fetare që simbolizojnë sakrificën, solidaritetin dhe bashkimin mes besimtarëve.
Kështu edhe sot në trevën e Bulqizës, kjo festë është kremtuar me madhështinë dhe përkushtimin e duhur, duke mbledhur së bashku qindra besimtarë të moshave të ndryshme pranë Teqeve të zonës.
Gjatë pasdites së soteme, besimtarë të shumtë janë grumbulluar në ambientet e kulteve fetare për të marrë pjesë në ceremoninë tradicionale të therjes së kurbaneve, një rit që prej vitesh është kthyer në simbol të rëndësishëm të besimit dhe traditës Bektashiane në rrethin e Bulqizës. Atmosfera festive është karakterizuar nga respekti, përulësia dhe ndjenja e solidaritetit mes pjesëmarrësve, të cilët kanë ndarë së bashku emocionet dhe urimet për këtë ditë të shenjtë.
Ceremonia është zhvilluar sipas riteve fetare, nën kujdesin e drejtuesve të Teqeve dhe besimtarëve të devotshëm, të cilët kanë theksuar rëndësinë shpirtërore që mbart Kurban Bajrami për komunitetin mysliman dhe veçanërisht për besimtarët bektashinj. Të pranishmit kanë kryer lutje për paqe, shëndet dhe begati në familjet shqiptare, ndërsa nuk kanë munguar mesazhet e harmonisë dhe bashkëjetesës fetare.
Pas përfundimit të ritit të therjes së kurbaneve, ka nisur edhe shpërndarja e mishit për të gjithë pjesëmarrësit dhe familjet në nevojë, një traditë që mishëron frymën e ndihmës dhe humanizmit që përcjell kjo festë. Banorët e zonës kanë kontribuar me përkushtim për organizimin e kësaj dite festive, duke e kthyer ceremoninë në një moment të rëndësishëm bashkimi për komunitetin.