Politike
“Fali Zot se s’dinë se ç’bëjnë”/ Rama komenton protestuesit para selisë së PS
Kryeministri Edi Rama ka ndarë një video në rrjetet sociale, ku protestues, pas protesën kundër projektit në Zvërnec, kanë shkuar jashtë ambienteve të selisë së PS dhe kanë përdorur fjalë fyese ndaj tij.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Rama i ka cilësuar ata si mysafirët e paftuar të natës në selinë e Partisë Socialiste.
“Fali Zot se s’dinë se ç’bëjnë thuhet në këto raste”, shprehet Rama në postimin e tij.
“MYSAFIRËT E PAFTUAR TË NATËS NË SELINË E PARTISË SOCIALISTE
“Shqipëria e shqiptarëve” dhe këto çeta kinse shqiponjash që ulërasin kësisoj rrugëve, të kujtojnë “Gjermaninë e gjermanëve” me ata ulëritësat e verbër si këta mysafirët e natës tek selia e PS, që e kthyen Gjermaninë në thertoren e hebrenjve dhe e katandisën në delen e zezë të planetit
Po meqë Gjermania naziste është larg dhe zëre se i kam përpara syve urrejtjenxitësit e këtyre të rinjve pa busull duke u thënë, “ju s’jeni nazistë ju jeni patriotë, prandaj jepini fort gojës së shthurrur se do ta djegim Shqipërinë e tradhëtarëve”, po shtoj që kjo “Shqipëria e shqiptarëve” është tëpkë si “Greqia e grekëve”, ajo e atyre çakejve të Agimit të Artë që donin t’i digjnin të gjallë “tradhëtarët” e Greqisë bashkë me shqiptarët, të cilët sipas tyre po merrnin punët e paratë e popullit grek
Çuditërisht edhe ata ishin kundër investimeve e resorteve cilësore, me të vetmin ndryshim se këta “shqiptarët tanë të vërtetë” nuk kishin gisht në kuturisjen e atyre, kurse ata kanë gishtin e tyre në kuturisjen e këtyre
Fali Zot se s’dinë se ç’bëjnë thuhet në këto raste”, shkruan Rama.