Politike
Refleksion i thellë për protestën/ Rama: Pas pak ditësh do t’u informojë
Kryeministri Edi Rama ka vijuar sulmet ndaj protestave të fundit, duke deklaruar se ato, sipas tij, janë “marrë peng” nga individë që i kanë dhënë një tjetër drejtim dhe i kanë kthyer në një pasqyrim të opozitës.
Gjatë një deklarate publike, Rama tha se protesta është larguar nga qëllimi fillestar dhe është shndërruar në atë që ai e cilësoi si një “shëmbëlltyrë simetrike” me opozitën.
“Ai bulevard është i ndarë për histori. Historia e flamingove është historia e Shqipërisë së re. Historia e sorrave dhe korbave që e kanë marrë peng dhe e kanë kthyer në një shëmbëlltyrë simetrike me jashtënxjerrjen e asaj opozite që tani nuk dihet më ku është”, deklaroi Rama.
Kryeministri pretendoi se protestat përfaqësojnë, sipas tij, rikthimin e fenomeneve të së shkuarës dhe paralajmëroi për rrezikun që, sipas tij, vjen nga ekstremet politike.
“Është vetëm e shkuara që vjen në forma shumë të rrezikshme dhe shumë shqetësuese”, u shpreh ai, duke kritikuar mbështetësit e protestave si persona që, sipas tij, nxiten nga qëndrime ekstreme.
Rama tha gjithashtu se në ditët në vijim do të bëjë publike reflektimet e tij pas protestës, të cilën ai e përmendi si “protesta e flamingove”.
Deklaratat e kryeministrit vijnë në një periudhë kur protestat kundër qeverisë kanë vijuar prej javësh, me kërkesa për dorëheqjen e Ramës dhe kundërshtime ndaj disa nismave ligjore të mazhorancës.