Aktualitet
Almer Toska: Këta janë tre grupet që qëndrojnë pas protestes
Gazetari Almer Toska ka deklaruar se protesta kundër projektit turistik në Zvërnec nuk lidhet me shqetësime reale mjedisore, por sipas tij drejtohet nga grupe të ndryshme interesi që synojnë të pengojnë zhvillimin ekonomik dhe investimet e huaja në Shqipëri.
Gjatë emisionit “Jashtë Kontrollit”, Toska tha se ndonëse në vend kanë ekzistuar shumë arsye për protesta masive, si afera e Onkologjikut, tenderat e dyshimtë, abuzimet në Bashkinë e Tiranës apo çështje të tjera korruptive, qytetarët nuk janë mobilizuar në të njëjtën mënyrë si në rastin e Zvërnecit.
Sipas tij, protesta ka tre grupime kryesore. Në radhë të parë, ai përmendi atë që e quajti “grup interesi anti-shqiptar”, i cili sipas tij kundërshton zhvillimin e turizmit dhe ardhjen e investitorëve të huaj në Shqipëri.
Në grupin e dytë, Toska renditi individë dhe struktura që, sipas tij, synojnë të kapitalizojnë politikisht protestën. Ai përmendi fondacionin Soros si një nga aktorët që, sipas pretendimeve të tij, ushtron presion ndaj kryeministrit Edi Rama për shkak të afrimit të investimeve amerikane në Shqipëri, duke iu referuar projektit ku përfshihet familja e presidentit amerikan Donald Trump.
Ndërsa grupi i tretë, sipas Toskës, përbëhet nga qytetarë të ndershëm që marrin pjesë në protestë, por që sipas tij janë orientuar drejt një kauze të gabuar.
“Protesta nuk ka nisur për Belinda Ballukun apo aferat korruptive, por për Zvërnecin dhe një investim prej miliarda eurosh. Kjo është një kauzë që pengon zhvillimin e Shqipërisë dhe ardhjen e investitorëve të huaj”, u shpreh Toska.
Ai ngriti gjithashtu pyetjen pse, sipas tij, nuk janë organizuar protesta të ngjashme për projekte të tjera të mëdha infrastrukturore, si aeroporti i Durrësit, ku kundërshtarët e projektit të Zvërnecit pretendojnë se janë prekur elementë të mjedisit.