Bota
Pas sulmeve amerikane, Teherani mesazh Uashingtonit: Nuk do qëndrojmë duarkryq
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, i ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të respektojnë detyrimet që rrjedhin nga memorandumi i përkohshëm i mirëkuptimit mes dy vendeve, duke paralajmëruar se Teherani nuk do të vijojë zbatimin e marrëveshjes nëse Uashingtoni nuk përmbush angazhimet e tij.
Baghaei deklaroi se Irani ka marrë pjesë në të gjitha negociatat “me seriozitet dhe kujdes”, duke theksuar se interesat e popullit iranian kanë qenë gjithmonë prioritet.
Sipas tij, nëse SHBA nuk respekton angazhimet e marra dhe nuk ndërmerr hapa për t’i dhënë fund luftës, Irani do të pezullojë zbatimin e memorandumit.
Baghaei deklaroi gjithashtu se kërkimi i drejtësisë për vrasjen e Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ali Khamenei, mbetet një “parim themelor” për qeverinë iraniane.
Ai tha se Ministria e Jashtme po angazhohet për të përdorur “të gjitha mjetet ligjore dhe ndërkombëtare” për të dokumentuar, sipas autoriteteve iraniane, krimet e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, si dhe për të kërkuar përgjegjësi ndërkombëtare.
Zëdhënësi iranian bëri të ditur gjithashtu se kontaktet ndërmjetësuese mes Teheranit dhe Uashingtonit kanë vijuar edhe gjatë ditëve të fundit. Ai shtoi se Irani po punon me Omanin për krijimin e një mekanizmi të përbashkët për administrimin e çështjeve që lidhen me Ngushticën e Hormuzit, por pretendoi se presioni i ushtruar nga SHBA ndaj sulltanatit po e vështirëson arritjen e një marrëveshjeje.
Ndërkohë, deklaratat e Baghaeit vijnë pasi SHBA ka goditur per 5 orë Iranin natën e djeshme, gjatë të cilave avionët amerikanë goditën disa objektiva ushtarake. Sipas raportimeve, ndër zonat e goditura janë përfshirë Bushehr, Chabahar dhe Bandar Abbas.
Presidenti amerikan Donald Trump, i cili kishte paralajmëruar më herët mundësinë e ndërmarrjes së këtyre sulmeve, deklaroi nga Shtëpia e Bardhë se nuk e përjashton mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje të re me Teheranin në të ardhmen. Ai gjithashtu u bëri thirrje aleatëve të SHBA-së që të kontribuojnë financiarisht për mbështetjen amerikane, duke deklaruar: “Dua të rimbursohem nga vendet që po ndihmojmë”.
Ndërkohë, Irani, me mbështetjen e grupeve të armatosura aleate, përfshirë rebelët Houthi në Jemen, ka intensifikuar sulmet me raketa dhe dronë ndaj vendeve të Gjirit Persik. Raportimet flasin për shpërthime në Arabinë Saudite, Kuvajt dhe Bahrein.
Po ashtu, sipas burimeve të cituara, dy anije cisterna nafte të Emirateve të Bashkuara Arabe janë goditur teksa po përpiqeshin të kalonin Ngushticën e Hormuzit përgjatë një rruge që autoritetet iraniane e konsideronin të palejuar.
Në zhvillimet më të fundit, Donald Trump thuhet se ka vendosur një bllokadë të re detare në Ngushticën e Hormuzit, duke deklaruar se kontrolli mbi kalimin strategjik do të jetë nën administrimin amerikan dhe se do të vendoset një tarifë për anijet që kalojnë nëpër Gjirin Persik.
Situata në Lindjen e Mesme mbetet tepër e tensionuar, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po ndjek me shqetësim zhvillimet që mund të kenë ndikim të gjerë në sigurinë rajonale dhe tregjet globale të energjisë.