Bota
Nuk ka paqe, SHBA rinis sulmet ndaj Iranit, Garda Revolucionare godet bazat amerikane
Shtetet e Bashkuara kanë zgjeruar operacionin ushtarak kundër Iranit, duke ndërmarrë një valë të re sulmesh ajrore ndaj objektivave në jug të vendit.
Agjencia shtetërore iraniane IRNA raportoi se një predhë amerikane goditi qytetin portual Bandar Abbas, ndërsa agjencia Mehr njoftoi për një tjetër goditje pranë qytetit Sirik, në provincën Hormozgan. Deri tani nuk janë bërë publike objektivat e sulmuara apo dëmet e shkaktuara.
Ndërkohë, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) konfirmoi se ka nisur një raund të ri bombardimesh ndaj Iranit.
“Nisëm një raund shtesë sulmesh kundër Iranit për të vazhduar dobësimin e kapaciteteve që përdoren për të sulmuar anijet tregtare në Ngushticën e Hormuzit”, deklaroi CENTCOM në një postim në rrjetin social X.
Në Iran po shtohen shqetësimet për pasojat e konfliktit. Gazetarja iraniane Fereshteh Sadeghi tha se banorët e Teheranit janë të alarmuar nga ndikimi ekonomik i sulmeve dhe nga mundësia që rikthimi i bllokadës në Ngushticën e Hormuzit të godasë eksportet e naftës dhe importet e mallrave bazë.
Sipas saj, çmimet në tregun valutor dhe atë të arit kanë nisur të rriten, ndërsa banorët janë të shqetësuar për provincat jugore Hormozgan, Bushehr, Sistan-Baluchistan dhe Khuzestan, të cilat po përballen me pjesën më të madhe të bombardimeve amerikane.
Megjithatë, ajo tha se, pavarësisht frikës dhe pasigurisë, shumë iranianë mbeten të vendosur, duke përmendur thirrjet për hakmarrje pas vrasjes së Ali Khameneit dhe viktimat e shumta të sulmeve amerikane dhe izraelite.
Përshkallëzimi i ri i operacioneve ushtarake vjen në një moment kur tensionet në Ngushticën e Hormuzit mbeten në nivelet më të larta, duke shtuar shqetësimet për sigurinë e transportit detar dhe tregjeve globale të energjisë
Nga ana tjetër, Garda Revolucionare Islamike (IRGC) pretendoi se ka goditur depo armësh amerikane në Bahrein dhe pozicione për dronët ushtarakë amerikanë në Kuvajt, duke deklaruar se disa dronë janë shkatërruar ose dëmtuar.
Në një deklaratë, IRGC paralajmëroi se operacionet do të vazhdojnë për sa kohë SHBA-ja vijon sulmet.
Teherani paralajmëroi gjithashtu se konflikti do të ndikojë drejtpërdrejt në trafikun energjetik global.
Përshkallëzimi i ri i konfliktit ka rikthyer luhatjet në tregjet ndërkombëtare të energjisë. Sipas Reuters, çmimi i naftës Brent u rrit me 4,3% të hënën, duke arritur në 79,31 dollarë për fuçi.
Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga korridoret më të rëndësishme energjetike në botë, pasi përmes saj kalon rreth një e pesta e tregtisë globale të naftës. Përshkallëzimi i konfliktit ka shtuar frikën për një krizë të re energjetike dhe një zgjerim të mëtejshëm të luftës në Lindjen e Mesme.