Connect with us

Politike

‘Territorialja’/ Berisha: Rama urdhëroi PS që të vijojnë punën vetëm, duan ta miratojnë pa ne

PS dhe PD nuk kanë gjetur dakordësinë për të shtyrë afatet për komisionin e reformës Territoriale. Në konferencën nga selia blu, kreu i PD akuzoi mazhorancën se duan ta miratojnë reformën pa opozitën dhe sipas tij gjithçka është urdhëruar nga Edi Rama.

“PS kërkon ta miratojë pa PD. Ne konstatojmë se po ndërpritet procesi. Nuk kanë përfunduar konsultat, të parashikuara dhe miratuara sipas rregullave. Boçi ka bërë një punë të shkëlqyer, serioze dhe sapo Boçi kërkoi atë që ne kemi patur kusht, që ky komision të asistohet nga kongresi i autoriteteve lokale dhe rajonale të KiE që është edhe instituti me ekspertizën më të madhe në këtë fushë.

Papritmas, Rama urdhëron komisionin që të shkojnë në mënyrë të njëanshme. Ne kemi platformën tonë, por ne e besuam dhe vlerësuam që të kemi një këshilltar të mençur që ka të gjithë ekspertizën europiane të reformave territoriale për të bërë më të mirën”, tha Berisha.

Berisha thotë se janë kundër variantit të prezantuar dje nga bashkëkryetari Arbjan Mazniku për uljen e numrit të bashkive dhe ndarjen e territorit në rajone.

“PS do të shkojë veçmas, ajo është zgjidhje e tyre. Ne qëndrojmë kundër variantit të paraqitur nga ata, kundër ekzistueses, dhe do bëjmë gjithë përpjekjet për të kundërshtuar këtë reformë”, vijoi Berisha.

Në kushtet kur palët kanë gjetur dakordësinë për të shtyrë afatin për komisionin e reformës Zgjedhore, Berisha u pyet nga gazetarët nëse në tryezë kanë diskutuar edhe një nga kërkesat e protestuesve për sistem proporcional kombëtar me lista të hapur

“Rama është i vendosur të mos pranojë asnjë kërkesë të protestës rinore qytetare. Ne i kemi mbështetur të gjitha kërkesat e tyre. Këtu ka një dallim të madh mes nesh dhe atyre”, tha Berisha.

Advertisement