Aktualitet
Goditja në tru, shërbimi i trombektomisë tashmë 24/7 në QSUT
Shërbimi i ri i neuroradiologjisë intervenuese do të funksionojë 24 orë në 24. Angiografi Biplanar mundëson trajtimin e insultit ishemik përmes trombektomisë mekanike, ndërsa hapen mundësi të reja edhe për trajtimin e aneurizmave dhe patologjive të tjera cerebrovaskulare.
Trombektomia mekanike tashmë është një shërbim i disponueshëm për qytetarët në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Shërbimi i ri shënon një hap të rëndësishëm në modernizimin e trajtimit të urgjencave cerebrovaskulare në Shqipëri.
Në QSUT është instaluar Angiografi Biplanar dhe është ngritur Kabineti i Radiologjisë Intervencionuese, duke krijuar mundësinë për diagnostikimin dhe trajtimin endovaskular të rasteve të insultit ishemik akut përmes trombektomisë mekanike.
Procedura synon largimin e trombit që bllokon qarkullimin e gjakut në tru, duke ndërhyrë në një nga urgjencat më të rënda neurologjike.
Shërbimi do të jetë në dispozicion 24 orë në ditë, në bashkëpunim të ngushtë me neurologët, neurokirurgët, terapinë intensive dhe Shërbimin e Strokut, duke krijuar një strukturë të integruar për trajtimin e pacientëve në gjendje akute.
Gjatë inspektimit në ambientet e reja, ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala, theksoi se investimi nuk kufizohet vetëm te pajisjet e teknologjisë së avancuar.
“Që sot, trombektomia është në shërbim të qytetarëve në Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’. Është një shërbim i strukturuar dhe i integruar i neuroradiologjisë diagnostikuese dhe intervenuese, që do të thotë se, përmes aparaturave moderne, mundësohet jo vetëm diagnostikimi, por edhe trajtimi i rasteve të insultit ishemik nëpërmjet trombektomisë mekanike. Në këtë shërbim do të trajtohen edhe patologji të tjera me origjinë vaskulare, si aneurizmat, të cilat deri më sot nuk trajtoheshin”, sqaroi ministrja Sala.