Connect with us

Aktualitet

Nga “lufta e shpejtë” te lufta që po konsumon shtetin

Nga Hisen Berisha

(Ukraina do të bëhet varri i Rusis, edhe i perandorisë së Putinit)

Kur Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022, Kremlini besonte se po hapte një kapitull të ri të rikthimit të fuqisë perandorake ruse. Ukraina duhej të nënshtrohej shpejt, qeveria e Kievit të rrëzohej dhe Rusia të rikthehej si fuqia dominuese e hapësirës post-sovjetike.

Sot, pothuaj pesë vite më vonë, pyetja strategjike është se, a mos vallë Ukraina, në vend që të bëhet trofeu i perandorisë ruse, po shndërrohet në atë që kisha deklaruar ditën e parë të sulmit rus, varrin e projektit imperial të Vladimir Putinit?

Kjo nuk është më vetëm një pyetje ushtarake. Është pyetje për kapacitetin ekonomik, politik, institucional dhe gjeostrategjik të shtetit rus për ta përballuar një luftë të gjatë. Dhe zhvillimet e fundit japin arsye të forta për ta ngritur këtë pyetje.

Rusia hyri në Ukrainë me bindjen se kishte epërsi absolute ushtarake. Por lufta nuk u zhvillua sipas skenarit të Kremlinit.

Ukraina nuk u dorëzua.

Shteti ukrainas nuk u shemb.

Ushtria ukrainase nuk u eliminua.

Dhe Rusia nuk arriti ta imponojë objektivin e saj strategjik.

Në vend të një operacioni të shkurtër, Moska u fut në një luftë të gjatë konsumimi, në të cilën çdo muaj shtesë i luftës kërkon më shumë njerëz, më shumë armatim, më shumë municion, më shumë para dhe, mbi të gjitha, më shumë kapacitet ekonomik. Dhe këstu po ndodh që, nga “lufta e shpejtë” për rikthim ambicioz, po kthehet te lufta që po konsumon shtetin.

Këtu fillon problemi themelor i Rusisë. Një luftë mund të fitohet me një goditje të fuqishme. Por një luftë e gjatë fitohet vetëm nga sistemi që mund të prodhojë, financojë dhe zëvendësojë humbjet më gjatë se kundërshtari.

Pikërisht ky precipitim politik, ushtarak dhe ekonomik, po shfaq çarjet e para.

Dekreti i Vladimir Putinit i 24 gushtit është veçanërisht domethënës.

Ky dokumenti i jep qeverisë ruse mundësinë të vendosë administrim të përkohshëm mbi objekte të infrastrukturës kritike kur operatorët nuk arrijnë të sigurojnë mbrojtjen e tyre, përfshirë përballimin e kërcënimeve nga dronët, ose kur objektet nuk rikthehen në funksion në kohë. Pra Rusia po kthehet nga shteti që mbron ekonominë, te ekonomi që duhet të mbrojë shtetin.

Në pamje të parë, kjo duket si masë administrative. Por, në realitet, ajo tregon se, shteti rus po detyrohet të rishpërndajë përgjegjësinë e mbrojtjes së territorit brenda vetë ekonomisë.

Kjo është një shenjë e rëndësishme e transformimit të Rusisë në ekonomi lufte. Por ekonomia e luftës ka një paradoks. Ngase, sa më shumë që lufta zgjatet, aq më shumë shteti duhet të marrë kontroll mbi ekonominë. Dhe sa më shumë kontroll merr shteti, aq më shumë dobësohet logjika e ekonomisë normale të tregut.

Në këtë pikë, regjimi përballet me një zgjedhje të vështirë që ou imponon kompanive private që, ose të investojnë gjithnjë e më shumë në mbrojtjen e infrastrukturës së tyre, ose shteti ndërhyn dhe merr kontrollin.

Kjo nuk është më thjesht mobilizim ushtarak. Është militarizim i ekonomisë civile.

Për vite me radhë, Kremlini e kishte ndërtuar narrativën se lufta ishte larg territorit rus dhe se qytetari rus mund të vazhdonte jetën normale. Por, sulmet ukrainase me dronë po e ndryshojnë këtë realitet.

Rafineritë, depot, qendrat logjistike dhe objektet industriale po bëhen pjesë e drejtpërdrejtë e betejës. Pra, zhvillimet atje tregojnë se lufta po hyn në zemër të Rusis.

Kjo është pikërisht ajo që e ndryshon natyrën e luftës, sepse nuk është më vetëm një konflikt në front. Ajo po bëhet luftë kundër kapacitetit ekonomik që e mban në këmbë makinën ushtarake ruse. Dhe kjo është shumë më e rëndësishme se dëmtimi i një objekti të vetëm.

Një rafineri nuk është vetëm një rafineri, është karburant.
Një qendër logjistike nuk është vetëm një ndërtesë, është furnizim.
Një fabrikë nuk është vetëm një fabrikë, është kapacitet prodhues.

Prandaj strategjia ukrainase e goditjes së thellë ndaj kapaciteteve kritike ka një logjikë të qartë ushtarake që, të mos luftojë vetëm ushtrinë ruse, por sistemin që e furnizon atë.

Kjo është një nga dobësitë më të mëdha të një fuqie të madhe territoriale.
Rusia ka hapësirë të jashtëzakonshme gjeografike, por pikërisht kjo hapësirë bëhet problem kur një kundërshtar i aftë mund të godasë me mjete relativisht të lira, sidomos me dronë me rreze të gjatë. Kështu Ukraina po e detyron Rusinë të mbrojë gjithçka.

Për çdo objekt që duhet mbrojtur, Rusia duhet të vendosë radarë, sisteme kundërajrore, mjete elektronike, personel dhe burime financiare. Pra me logjiken ushtarake Ukraina po trrgon qëndrueshmëri operacionalr, për çka në shumë raste, nuk ka nevojë të pushtojë territorin. Mjafton ta detyrojë Rusinë të shpenzojë gjithnjë e më shumë për ta mbrojtur atë.

Kjo është lufta e konsumimit në formën e saj më të sofistikuar.

Kjo rrethanë operative, lidhet me paralajmërimin tim të hershëm që e am argumentuar edhe më herët se sa më gjatë të vazhdojë lufta në Ukrainë, aq më shumë Rusia rrezikon të konsumojë jo vetëm kapacitetin e saj ushtarak, por edhe bazën ekonomike dhe politike mbi të cilën mbështetet sistemi Putin.

Sot kjo tezë meriton të rishikohet jo si slogan politik, por si hipotezë strategjike.

Sepse Rusia po kalon nga një ekonomi që financon ushtrinë në një ekonomi ku ushtria dhe lufta po përcaktojnë gjithnjë e më shumë vetë strukturën e ekonomisë.

Dhe kjo është pikërisht ajo që e bën ekonominë e luftës një kurth.
Në fillim, lufta stimulon prodhimin ushtarak.
Pastaj kërkon më shumë punëtorë.
Më shumë buxhet.
Më shumë borxh dhe shpenzime publike.
Më shumë kontroll shtetëror.
Më shumë sakrifica sociale.
Dhe në një fazë të caktuar, ajo fillon të hajë vetë bazën ekonomike që e financon.

Kjo është pika ku një ekonomi lufte mund të shndërrohet nga instrument i fuqisë në instrument të konsumimit të shtetit.

Në këtë kontekst duhet parë edhe vizita e pazakontë e drejtorit të CIA-s, John Ratcliffe, në Moskë më 25 gusht.

Vizita ishte e fshehtë dhe e pazakontë. Ratcliffe zhvilloi takime me zyrtarë të inteligjencës ruse. Pra, nuk u takua personalisht me Vladimir Putinin, por Kremlini konfirmoi se presidenti rus është informuar për rezultatet e takimeve.

Ajo që dihet është e kufizuar.
Ajo që nuk dihet është shumë më interesante.

Sipas raportimeve të shumë mediave ndëthombëtare si, CBS dhe Wall Street Journal, The Washington post, një nga mesazhet kryesore të vizitës ishte paralajmërimi i Rusisë kundër ndërmarrjes së ndonjë sulmi ndaj një vendi anëtar të NATO-s, veçanërisht në hapësirën baltike. Edhe pse Kremlini e ka mohuar këtë interpretim.

Presidenti Donald Trump, ndërkohë, e ka përshkruar vizitën si “semi-rutinë” dhe ka deklaruar se nuk beson se Putin do të sulmojë NATO-n.

Por këtu duhet bërë një dallim i rëndësishëm, sepse në inteligjencë, rëndësinë e një takimi nuk e përcakton vetëm ajo që thuhet publikisht, por edhe arsyeja pse ai takim ndodh pikërisht në atë moment. Dhe momenti, është jashtëzakonisht domethënës.

Rusia është në vitin e pestë të luftës.
Sulmet ukrainase po arrijnë gjithnjë e më thellë në territorin rus.
Ekonomia po mobilizohet për luftë.
Bisedimet politike janë të bllokuara.
Dhe në Uashington ekziston shqetësimi se Moska mund të tentojë të testojë kufijtë e NATO-s. Edhe çarqet inteligjente amerikane është folur pikërisht për një vlerësim të ri të rrezikut dhe për mundësinë që Rusia të ndërmarrë veprime provokuese ndaj vendeve të NATO-s.

Prandaj vizita e Ratcliffe mund të lexohet si një sinjal strategjik për Moskën që të mos e ngatërrojnë dobësimin me mundësinë për zgjerim. Sepse një fuqi që po humbet aftësinë për të arritur objektivat e saj në një front mund të tundohet të hapë një tjetër front për të ndryshuar dinamikën politike.

Vlerësoj nga gjykimi doktrinor se kjo do të ishte një aventurë jashtëzakonisht e rrezikshme.

Këtu qëndron paradoksi më i madh i Vladimir Putinit, ngase Ai e nisi luftën për ta bërë Rusinë më të madhe. Por lufta mund ta bëjë Rusinë më të varur nga ekonomia e luftës.

E nisi për ta dobësuar NATO-n. Por lufta e ka bërë NATO-n faktor edhe më qendror të sigurisë evropiane.

E nisi për ta rikthyer Ukrainën nën ndikimin rus. Por Ukraina është shndërruar në kundërshtarin që po i shkakton Rusisë koston më të madhe strategjike që nga rënia e Bashkimit Sovjetik.

E nisi për të rikthyer madhështinë e perandorisë. Dhe sot Rusia po detyrohet të mbrojë objektet e veta industriale nga sulmet brenda territorit të saj.

Prandaj, vlerësoj se kjo nuk është pamja e një perandorie që po zgjerohet.
Është vetëm pamja e trishtë e një fuqie që po lufton për të ruajtur kapacitetin e saj për të vazhduar luftën.

Putini ka ndërtuar një sistem ku pushteti presidencial është shndërruar praktikisht në pushtet personal.
Ndryshimet kushtetuese i hapën rrugën qëndrimit të tij në pushtet deri në vitin 2036. Por një mandat kushtetues nuk është garanci për stabilitet politik. Mandati i përhershëm nuk e bën të përhershëm regjimin.

Historia e regjimeve autoritare tregon se ato mund të duken të pathyeshme deri në momentin kur fillojnë të shfaqen çarje brenda elitës, ekonomisë, aparatit shtetëror dhe strukturës së sigurisë.
Prandaj pyetja për Rusinë nuk është vetëm edhe sa kohë mund të vazhdojë Putini luftën? Pyetja më e rëndësishme është se edhe sa gjatë mund ta përballojë Rusia koston e luftës pa ndryshuar vetë natyrën e shtetit rus?

Nëse përgjigjja është “gjithnjë e më pak”, atëherë kemi të bëjmë me një proces që nuk mund të matet vetëm me kilometrat e frontit.
Pra me ligjiken doktrinore e strategjike politike, ekonomike dhr ushtarake duhet matur edhe me:

-kapacitetin industrial;
-financat publike;
-rezervat dhe të ardhurat energjetike;
-fuqinë punëtore;
-humbjet njerëzore;
-kapacitetin për të prodhuar dhe zëvendësuar armatimin;
-stabilitetin e elitave;
-kontrollin mbi territorin;
-dhe aftësinë e shtetit për të garantuar sigurinë e vetë infrastrukturës kritike.

Putini nuk është vetëm historia e Rusisë por është paralajmërimi dhe mësimet e nxjerra, që kjo histori duhet t’ua japë shteteve të Ballkanit Perëndimor. Është paralajmërimi për çdo lider ballkanik që mendon se shteti është pronë e pushtetit.

Ambicia për të qëndruar përherë në pushtet, përmes ndryshimit të rregullave, zgjatjes së mandateve dhe kontrollit të institucioneve, herët a vonë e vendos liderin përballë të njëjtit paradoks. Pra, sa më shumë që pushteti personal dobëson institucionet, aq më shumë dobësohet edhe vetë shteti që ai pretendon se po e forcon.

Në këtë kuptim, zhvillimet në Beograd, Tiranë dhe Prishtinë e Shkup, duhet të shërbejnë si një paralajmërim serioz. Përpjekjet për ta personalizuar pushtetin dhe për ta kthyer qëndrimin sa më gjatë në pushtet në objektiv politik, pavarësisht ndryshimeve të rregullave dhe kufizimeve kushtetuese, krijojnë të njëjtin rrezik, kur institucionet fillojnë t’i nënshtrohen liderit, ndërsa shteti fillon të humbasë neutralitetin dhe funksionalitetin e tij.

Asnjë lider nuk mund të jetë më i madh se shteti dhe asnjë mandat politik nuk mund të jetë mandat përjetësie.
Pakënaqësia qytetare, protestat dhe kërkesat demokratike nuk mund të trajtohen si pengesa që duhen shpërfillur ose shtypur politikisht. Ato janë sinjale që një sistem demokratik duhet t’i dëgjojë dhe t’u përgjigjet.

Serbia nuk mund të bëhet hegjemon i Ballkanit duke e shndërruar fuqinë ushtarake në qëllim në vetvete dhe duke sakrifikuar zhvillimin ekonomik e mirëqenien e qytetarëve të vetë.
Një shtet që investon gjithnjë e më shumë në fuqinë ushtarake, ndërkohë që dobëson bazën ekonomike mbi të cilën mbështetet ajo fuqi, rrezikon të përsërisë pikërisht gabimin strategjik të Rusisë, pra, të ndërtojë forcën që në fund mund ta konsumojë vetë shtetin.

Në Kosovë, mbajtja e institucioneve të bllokuara për një periudhë të gjatë dhe pamundësia për të ndërtuar institucionet funksionale pas disa proceseve zgjedhore rrezikojnë ta defunksionalizojnë shtetin politikisht, ekonomikisht, në aspektin e sigurisë dhe të orientimit strategjik.
Një shtet nuk forcohet duke e mbajtur peng për ambicie partiake sepse shteti forcohet duke funksionuar.

Edhe Maqedonia e Veriut duhet ta kuptojë se diskriminimi i shqiptarëve dhe kufizimi i të drejtave të tyre si pjesë konstituive e shtetit, së bashku me kontestet identitare me Bullgarinë dhe mosmarrëveshjet e së kaluarës me Greqinë, nuk krijojnë stabilitet afatgjatë. Përkundrazi, ato mund të prodhojnë tensione të reja dhe ta rikthejnë rajonin në një spirale krizash identitare e politike.

Ballkani duhet të mësojë nga historia e Rusisë se nacionalizmi i pakontrolluar, militarizimi, personalizimi i pushtetit dhe dobësimi i institucioneve nuk prodhojnë domosdoshmërisht fuqi por, mund të prodhojnë pikërisht të kundërtën pra, dobësimin e shtetit.

Prandaj, Putini nuk duhet të jetë model për askënd në Ballkan. Ai duhet të jetë mësim se si ambicia për pushtet të pakufizuar mund ta çojë një shtet të madh drejt një krize që në fund kërcënon vetë projektin politik të atij që pretendonte ta rikthente madhështinë e tij.

Ballkani nuk ka nevojë për Putinin e vet. Ka nevojë për liderë që dinë të ndërtojnë shtetin dhe, mbi të gjitha, dinë të largohen nga pushteti pa e marrë shtetin me vete.

Ndoshta gabimi më i madh do të ishte të prisnim që rënia e projektit imperial rus të dukej si një “Stalingrad” i ri.
Jo! Pika e kthesës mund të jetë shumë më pak spektakolare.
Mund të jetë momenti kur Rusia nuk mund të financojë më të njëjtën shkallë lufte.
Kur industria nuk mund të zëvendësojë më humbjet.
Kur mbrojtja e infrastrukturës bëhet barrë e papërballueshme.
Kur kompanitë private detyrohen të marrin përsipër një pjesë të barrës së luftës.
Kur shteti duhet të zgjedhë se cilat objekte mund t’i mbrojë dhe cilat jo.
Kur elitat ekonomike fillojnë ta shohin luftën jo si projekt të fuqisë kombëtare, por si kërcënim ekzistencial për pasurinë dhe sistemin e tyre.
Dhe mbi të gjitha, kur vetë elita ruse fillon të pyesë nëse lufta po e forcon Rusinë apo po e konsumon atë.

Kjo është arsyeja pse zhvillimet e fundit nuk duhen parë si episode të izoluara. Të gjitha këto janë pjesë të një fotografie më të madhe.

Vërtetë, Rusia ende është fuqi e madhe ushtarake dhe bërthamore. Nuk duhet nënvlerësuar. Por madhësia ushtarake nuk është e njëjtë me fuqinë strategjike.

Një shtet mund të ketë armë bërthamore dhe prapëseprapë të humbasë një luftë politike.

Mund të ketë territorin më të madh në botë dhe prapëseprapë të mos jetë në gjendje ta mbrojë të gjithë infrastrukturën e tij.

Mund të ketë ushtri të madhe dhe prapëseprapë të mos arrijë objektivin strategjik për të cilin e nisi luftën.

Dhe mund të ketë një president me mandat deri në vitin 2036, por kjo nuk do të thotë se modeli politik që ai ndërtoi do të jetojë deri atëherë.

Prandaj, nëse lufta vazhdon dhe presioni mbi kapacitetet ekonomike, ushtarake e politike të Rusisë rritet, atëherë Ukraina mund të hyjë në histori jo thjesht si vendi që i rezistoi pushtimit rus. Por si vendi ku u thye përfundimisht ideja se Rusia mund të rikthehej në perandori përmes luftës.

Dhe në këtë kuptim, shprehja:
“Ukraina do të jetë varri i Rusisë”, mund të mos nënkuptojë varrin e Rusisë si shtet. Por,nënkupton diçka shumë më të rëndësishme:
varrin e Perandorisë Ruse të shekullit XXI dhe të projektit politik të Vladimir Putinit për ta bërë Rusinë përsëri një perandori.

Nëse ky proces vazhdon, historia mund të mos e regjistrojë luftën e Ukrainës si fillimin e rikthimit të Perandorisë Ruse por, mund ta regjistrojë si fillimin e fundit të saj.

Advertisement