Aktualitet
9 meta-parimet e politikës së jashtme të shqiptarëve
Unë nuk e di nëse ka lëndë në shkollë të mesme për gjeopolitikën shqiptare.
Nuk e di, në fakt e di mirë, se çfarë idiotësish u mësojnë për ne që kemi çarë historinë me shpatë në dorë dhe kemi hedhur valle në grykë të ujkut!
Unë, ajo që di është kjo
Në shekuj, elitat drejtuese shqiptare, ashtu po i quaj sido që të kenë qenë, drejtues, qofshin pashallarë kryengritës, kaçakë, drejtues të ndritur lëvizjesh shtetformuese, drejtues shteti të pavarur, etj. në politikën e jashtme kanë zbatuar duke qenë ose jo të ndërgjegjshëm për çfarë kanë bërë këto 9 parime:
1. Përballje deri në një farë mase me shtetet fqinje për të mbrojtur territore.
2. Duke mos gjetur përkrahje këtu afër, gjithmonë kanë kërkuar një aleat të madh sa më larg dhe që për rjedhojë jo fort dashamirës me fqinjët.
3. Përherë ia kanë shpërblyer mbështetjen fuqisë së madhe me shërbime ushtarake ose duke u konvertuar në fenë a ideologjinë, a modën e tyre.
4. Kanë kërkuar gjithmonë të çajnë mes konflikteve të fuqive të mëdha të kohës duke ja bërë me sy të dyjave (së paku) ose duke kërkuar t’i lënë të qetë se nëse i ngacmonte njëra hidheshin me tjetrën. Mbi këtë bazë kanë ndërtuar një farë pavarësie.
5. Kanë idealizuar modelin social dhe politik të perandorisë së madhe ose të fuqisë së madhe pa e njohur nga brenda atë. Këtu përjashtim bëjnë bejlerët shqiptarë që jetuan në Turqi, u bënë palamentarë turq, etj.
6. Duke u mbështetur te fuqia e madhe, kanë shërbyer për njërën palë të pushtetit atje duke u përdorur kundër palës tjetër.Për pasojë sa herë kanë ndërrruar atje raportet e forcave aq herë ka pasur krizë politike ose përmbysje forcash në Shqipëri.
7. Përherë ja kanë dalë disi të kapërcejnë krizat, duke lëshuar me marrëveshje toka shqiptare deri sa përfunduam në kënetë mes detit ku më tutje na hanë peshqit dhe na djegin kandilat e detit dhe maleve ku më lart na hanë arinjtë!
8. Sa herë jemi sulmuar, kur ka qenë për të rrezistuar, qeveritarët ose janë dorëzuar, ose kanë dhënë dorëheqje, ose ja kanë mbathur, ose janë bërë kolaboracionistë.
9. Aleancat me fuqinë e madhe, perandorinë, a forca të tjera epokale i kanë përdorur për të çimentuar pushtetin e tyre. Aleatë me të huajt për të mbajtur nën zgjedhë shqiptarët.
Këto përbëjnë, mendoj, parimet e filozofisë së politikës së jashtme që përcaktohen nga gjeopolitika e shqiptarëve dhe e Shqipërisë, nga identiteti etnik dhe kombëtar i saj, nga marrëdhëniet me fqinjët ndoshta edhe nga rrethana të tjera!