Connect with us

Politike

Ndryshojnë kriteret për Policinë e Shtetit, zgjerohet kufiri i moshës për aplikantët

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka firmosur urdhrin për rishikimin e kufirit të moshës për pranimin në Policinë e Shtetit, duke zgjeruar mundësitë për kategori të ndryshme kandidatësh.

Sipas vendimit, për kandidatët që kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë dhe synojnë të angazhohen në role zbatuese, përfshirë Patrullën e Përgjithshme, kufiri i moshës përcaktohet deri në 35 vjeç.

Deri në 35 vjeç mund të aplikojnë edhe kandidatët që synojnë të ndjekin studimet Bachelor në Akademinë e Sigurisë për të hyrë në strukturat e Policisë në rolin e parë drejtues, me gradën nënkomisar.

Mundësi më të gjera parashikohen për profesionistët me arsim të lartë. Kandidatët që kanë përfunduar ciklin e dytë të studimeve dhe kanë profile të përshtatshme, si ekonomi, financë apo teknologji informacioni, mund të pranohen deri në 40 vjeç, pas përfundimit të kursit të specializuar për nënkomisarë.

Ndërkohë, për punonjësit që vijnë nga institucione të tjera të sigurisë, nëse plotësojnë kriteret dhe kalojnë procedurat e përcaktuara të pranimit, nuk parashikohet kufizim moshe.

Vendimi synon të zgjerojë bazën e kandidatëve dhe të marrë në konsideratë jo vetëm moshën, por edhe arsimin, kualifikimet dhe përvojën profesionale.

Ndryshimi vjen në një kohë kur Policia e Shtetit ka hapur edhe procedura të reja rekrutimi. Në gusht u hapën aplikimet për 300 vende në rolin zbatues “Patrullë e Përgjithshme”, ndërsa kriteret e mëparshme për këtë konkurs parashikonin moshën deri në 30 vjeç.

Ministri Lamallari e ka cilësuar ndryshimin si pjesë të një qasjeje për krijimin e mundësive më të barabarta dhe forcimin e strukturave të Policisë së Shtetit përmes prurjeve të reja dhe profesionistëve me përvojë.

Advertisement