Politike
Nga Vila e Kuqe te Pallati i Brigadave: Rama sot vendos në rresht qeverinë dhe deputetët
Kryeministri Edi Rama mbledh këtë të mërkurë, në orën 13:00, ministrat dhe zëvendësministrat në Vilën e Kuqe, në një takim që pritet të përcaktojë prioritetet e qeverisë për periudhën e ardhshme.
Mbledhja zhvillohet një ditë përpara takimit të Ramës me Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste dhe vjen pas udhëzimeve të dhëna prej tij në mbledhjen e qeverisë javën e kaluar.
Në qendër të diskutimeve pritet të jetë konkretizimi i programit qeverisës dhe mënyra e zbatimit të tij në terren. Një tjetër pikë e rëndësishme lidhet me qasjen e re ndaj problematikave të qytetarëve përmes platformës “PasqyrAlbania”.
Platforma synon të evidentojë dhe monitorojë shqetësimet e qytetarëve, ndërsa mekanizmat “Flamingo Albania” dhe “Radar” do të përdoren për mbledhjen e problematikave dhe ndjekjen e tyre deri në trajtimin nga institucionet përgjegjëse.
Rama pritet t’u kërkojë ministrave konkretizimin e detyrave të lëna javën e kaluar, ndërsa në fokus do të jenë edhe ndryshimet ligjore që nevojiten për funksionimin e platformës.
Pas takimit me kabinetin qeveritar, kryeministri do të zhvillojë të enjten, në orën 10:00, një tjetër mbledhje me Grupin Parlamentar të PS-së në Pallatin e Brigadave.
Kështu, brenda 24 orëve, Rama do të zhvillojë dy takime të rëndësishme, fillimisht me ministrat dhe zëvendësministrat dhe më pas me deputetët socialistë, me synimin për të përcaktuar detyrat dhe prioritetet e fazës së ardhshme të qeverisjes.