✦
Thinking ...
Connect with us

Shkrime

Rama takim me pronarët e protestës/ Analisti: Po kthehet në “gjimnastikë elektorale” për kryeministrin

Mero Baze analizon përplasjen mes protestuesve dhe Edi Ramës, duke argumentuar se një pjesë e atyre që e kanë shpallur veten “udhëheqës” të protestës po sillen sikur kanë marrë tashmë pushtetin dhe duhet të diktojnë vendimet e kryeministrit.

Sipas Bazes, çdo lëvizje e Ramës për ndryshime në qeveri apo në komunikimin me qytetarët interpretohet prej tyre si diçka që duhet ta kontrollojnë dhe certifikojnë. Ata komentojnë se cilët ministra duhet të largohen, kërkojnë dorëheqjen e Ramës dhe sulmojnë nismat e tij të reja të komunikimit.

Një pjesë e kritikave, sipas autorit, është përqendruar edhe te ministrja Sala, të cilën Baze e paraqet si një nga profesionistet shqiptare të diasporës që është rikthyer për të kontribuar në vend. Ai e konsideron paradoksale që persona që pretendojnë se flasin në emër të diasporës ta sulmojnë një figurë të tillë.

Baze ironizon gjithashtu disa prej drejtuesve të protestës, duke thënë se vetëbesimi i tyre ka kaluar në një lloj “deliri pushteti”. Ai përmend edhe aktivitetin e tyre në rrjetet sociale dhe mënyrën sesi disa prej tyre e shohin veten si alternativë qeverisëse.

Por, sipas autorit, problemi i protestës dhe problemi i qeverisë me protestën janë dy gjëra të ndryshme. Protestuesit mendojnë se po ndikojnë drejtpërdrejt në qeverisjen e Ramës, ndërsa Rama, sipas Bazes, mund ta përdorë protestën si një instrument për të mobilizuar elektoratin e tij përpara zgjedhjeve.

Në fund, Baze argumenton se Rama ka pasur më shumë sukses kur i ka injoruar protestuesit sesa kur është përpjekur t’i marrë seriozisht. Për autorin, disa prej figurave që sot pretendojnë se drejtojnë protestën mund të kenë ndihmuar vetë, paradoksalisht, në forcimin e pozitës politike të kryeministrit.

E PLOTE KETU

Nga Mero Baze

Reagimet më nervoze ndaj përpjekjeve të Edi Ramës për t’i përdorur protestat për një rienergjizim të brendshëm të pushtetit vijnë nga ata që janë vetëshpallur pronarë të protestës. Nismat e Edi Ramës për të ristrukturuar komunikimin politik me qytetarët, shumë prej tyre i marrin apriori si një vepër të tyre dhe rrinë 24 orë duke policuar çdo veprim të kryeministrit, me vetëndjesinë e njerëzve që duhet të certifikojnë veprimet e tij.

Njëri del e thotë se nuk është dakord me ndryshimet në qeveri, tjetri jep mendime se sa ministra duhet të heqë, shumica i thonë se duhet të ikë vetë, pastaj vazhdojnë të sulmojnë Besën, radarin, kandarin dhe çfarëdo termi tjetër që shpik Edi Rama, a thua se tani ata janë pushteti dhe Rama një i emëruar i tyre.

Një kor i tërë flamingosh sulmojnë ministren Sala, edhe pse ajo vjen, si pak shqiptarë të diasporës, pas një karriere të suksesshme, të certifikuar nga mjekësia e vendeve më të zhvilluara të Evropës, si Britania e Madhe dhe Italia. Këta që dërdëllisin në emër të diasporës, që ajo të vijë të përmbysë pushtetin, baltosin një prej përfaqësueseve më cilësore të diasporës shqiptare në botë, e cila erdhi për më pak se një vit të kontribuonte në vendin e saj. Dhe e urrejnë jo vetëm se është e zonja, por edhe sepse erdhi këtu të japë kontribut dhe, tani që iku për një angazhim të saj akademik.

Dhe këtë e bëjnë ata që nxjerrin në tribunë gjithë ato gra të gjora me trauma psikike nga diaspora , që jeta i ka përplasur rrugëve të botës dhe pastaj, kur kalojnë të pesëdhjetat, vijnë të kërkojnë atdheun “që ua ka vjedhur Edi Rama”. Se ai ështe modeli i tyre për diasporën, jo një akademike reale e provuar si e tillë.

Ky delir që ka kapur gjithë “udhëheqësit e protestës” është bërë akoma më tragjikomik sot, pas lajmeve se disave prej tyre qeveria u paska mbyllur edhe Facebook-un, duke rrezikuar kështu të ardhmen e protestës online, pasi nuk do të kemi mundësi të shikojmë intervistën e Gonës, që pyet sekretaren e vet:

-A të pëlqej unë për kryeministër? Dhe ajo i thotë “Po”.

Problemi që ka protesta është i ndryshëm nga problemi që ka qeveria me protestën. Problemi i udhëheqësve të protestës është se mendojnë sikur po diktojnë qeverisjen e Ramës, kurse problemi i qeverisë me protestën është se ajo thjesht po përdoret prej Edi Ramës për t’i bërë gjimnastikë elektorale palës së vet përpara zgjedhjeve.

Deri tani, Edi Rama ka pasur më shumë sukses kur i ka injoruar protestuesit sesa kur ka bërë sikur po merret me ta.

Advertisement