Connect with us

Aktualitet

Konflikti mes biznesmenëve në Vlorë/ Hita dhe Lamallari reagojnë për personat e arrestuar

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, dhe ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, kanë reaguar nga Kukësi lidhur me konfliktin mes dy biznesmenëve në Vlorë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit deklaroi se reagimi i forcave të policisë ka qenë i menjëhershëm pas marrjes së njoftimit për ngjarjen. Sipas tij, disa prej personave të dyshuar si autorë u ndaluan në flagrancë dhe u vendosën menjëherë në masën e arrestit.

Hita tha se hetimet kanë vijuar për orë të tëra dhe se veprimet procedurale janë ende në zhvillim, në bashkëpunim me Prokurorinë.

“Ngjarja e Vlorës ishte një ngjarje që, në marrjen e njoftimit në momentin e parë, u angazhuan shumë shpejt forcat policore. U bë i mundur ndalimi dhe kapja në flagrancë e disa prej autorëve, të cilët u vunë menjëherë në masën e arrestit në flagrancë”, deklaroi Hita.

Ai shtoi se, pavarësisht vëmendjes së madhe që ka marrë ngjarja, policia po vijon verifikimin e pretendimeve të të gjitha palëve për rrethanat dhe veprimet e kryera gjatë konfliktit.

Nga ana e tij, ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, vlerësoi reagimin e shpejtë të Policisë së Shtetit, duke theksuar se hetimet janë ende në zhvillim.

Lamallari bëri të ditur se për ngjarjen ka persona të arrestuar, ndërsa disa të tjerë vijojnë të jenë në kërkim.

“Pati menjëherë persona të arrestuar, persona të cilët janë ende në kërkim dhe besoj do të gjenden dhe do të vihen para drejtësisë”, u shpreh ministri.

Lamallari theksoi gjithashtu se Policia e Shtetit do të vijojë të veprojë në përputhje me ligjin dhe udhëzimet e prokurorit të çështjes, me synim zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe vendosjen para përgjegjësisë të personave të përfshirë.

Ndërkohë, hetimet për konfliktin në Vlorë vijojnë për të përcaktuar të gjitha rrethanat e ngjarjes dhe përgjegjësinë e secilit prej personave të përfshirë.

Advertisement