Politike
KRYEMINISTRI SHKARKON MINISTRIN E BRENDSHEM
Besfort Lamallari është larguar nga Ministria e Brendshme. Mësohet se në vend të Lamallarit pritet të emërohet Ervin Demo, i cili deri më tani ka mbajtur postin e ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor.
Ndryshimi sjell kështu një lëvizje të re në strukturën drejtuese të Ministrisë së Brendshme.
Pas largimit të tij nga drejtimi i këtij dikasteri, Rama bëri të ditur se Lamallari do të vijonte të ishte pjesë e ekipit të tij në Kryeministri.
Në të njëjtën kohë, kreu i qeverisë njoftoi se drejtimin e Ministrisë së Brendshme do ta merrte Ervin Demo, i cili deri në atë moment mbante postin e ministrit për Pushtetin Vendor. Sipas Ramës, me këtë ndryshim, çështjet e pushtetit vendor do të integroheshin në strukturën e Ministrisë së Brendshme.
“Sot kam vendosur të bëjmë një lëvizje në skuadrën që është në fushë. Lamallari nga drejtimi i ministrisë brendshme kalon në stolin tim bashkë me mua dhe ekipin këtu në kryeministri, ndërkohë që Demo, ministri i pushtetin vendor do mbulojë punët e brendshme ku do të integrojmë dhe çështjet vendore. Diçka që nuk është e re për historikun e ministrisë, por pasi ka marrë një formë goxha më të plotë duke qenë veç, do të bëhet pjesë e strukturës së ministrisë së Brendshme”, thotë Rama.
“Faleminderit shumë kryeministër për besimin në këto 10 vite. Do të thoja se jam rritur profesonalisht. Ka qenë një përvojë e jashtëzakoshme dhe jam munduar që mos t’ju zhgënjej. Është kënaqësi dhe nder të jem në krahun tuaj për të gjithë punët që e presin Shqipërinë”, tha Lamallari.
Besfort Lamallari kishte marrë drejtimin e Ministrisë së Brendshme në mars të vitit 2026, pas ndryshimeve në qeveri të bëra nga kryeministri Edi Rama. Ai u dekretua ministër i Punëve të Brendshme më 4 mars, ndërsa më 6 mars mori zyrtarisht detyrën duke pasuar Albana Koçiu.
Përpara se të merrte drejtimin e këtij dikasteri, Lamallari kishte shërbyer si ministër i Drejtësisë nga shtatori i vitit 2025 deri në mars 2026. Më herët, ai kishte mbajtur për një periudhë të gjatë postin e zëvendësministrit të Brendshëm, detyrë në të cilën ishte emëruar më 9 tetor 2017.