Thinking ...
Connect with us

Kosova

Bekim Sejdiu tërhiqet nga gara për president: Mungoi mbështetja parlamentare

Bekim Sejdiu ka njoftuar tërheqjen nga kandidatura për president të Republikës së Kosovës, duke e lidhur vendimin me mungesën e mbështetjes së nevojshme në Kuvend dhe përplasjet politike që kanë shoqëruar procesin.

Në një reagim të publikuar të hënën, Sejdiu ka treguar se rreth dy javë më parë ishte kontaktuar nga përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ishte ftuar në një takim me delegacionet e LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas tij, në këtë takim ishte bërë e ditur se pas një serie bisedimesh, dy partitë kishin arritur një dakordësi që ai të propozohej si kandidat jopartiak për postin e presidentit.

Sejdiu tha se e kishte pranuar kandidaturën për shkak të situatës së vështirë institucionale dhe nevojës për të kontribuar në zhbllokimin e krizës politike.

Megjithatë, ai theksoi se procesi nuk arriti të siguronte mbështetjen e nevojshme parlamentare për zgjedhjen e tij.

“Në rrethanat e krijuara, të karakterizuara nga mungesa e mbështetjes së nevojshme parlamentare për zgjedhjen time si President dhe nga devijimi i tërë procesit në vorbullën e dinamikave dhe përplasjeve të brendshme politike, kam vendosur të tërhiqem nga kandidatura për President të Republikës së Kosovës”, deklaroi Sejdiu.

Ai bëri të ditur se për vendimin kishte njoftuar paraprakisht përfaqësuesit e LDK-së dhe LVV-së.

Sejdiu falënderoi të gjithë ata që e mbështetën kandidaturën e tij, duke përmendur kolegët, miqtë, personalitetet publike, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe veçanërisht mërgatën shqiptare në Shtetet e Bashkuara.

Ai theksoi se nuk kishte pasur ambicie për poste publike përtej angazhimeve të tij akademike dhe profesionale, duke argumentuar se pranimi i kandidaturës ishte motivuar nga dëshira për të ndihmuar në zgjidhjen e ngërçit institucional.

Në fund, Sejdiu u bëri thirrje partive politike të gjejnë një zgjidhje për krizën dhe të shmangin thellimin e polarizimit.

“Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj nuk kanë nevojë për drama politike dhe thellim të polarizimit, por për maturi dhe bashkim në funksion të forcimit të shtetit tonë”, shkroi ai.

Advertisement