Kosova
HAGA VENDOS PËR THAÇIN DHE TË TJERËT, JA ÇFARE KA PARALAJMERUAR AMBASADA AMERIKANE
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka lëshuar një njoftim sigurie për 16 shtatorin, ditën kur në Hagë pritet të shpallet aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Sipas njoftimit, disa organizata po planifikojnë demonstrata të mëdha të mërkurën në qendër të Prishtinës dhe në qytete të tjera të mëdha të Kosovës.
Ambasada paralajmëron se tubimet mund të shkaktojnë grumbullime të mëdha njerëzish, bllokime rrugësh dhe probleme serioze në qarkullim.
Personelit të Ambasadës amerikane i është kërkuar të shmangë lëvizjet e panevojshme pranë demonstratave. Gjithashtu, personeli është këshilluar të mos dërgojë fëmijët në shkollë më 16 shtator për shkak të problemeve të pritshme në trafik.
Edhe Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka marrë masat e nevojshme të sigurisë për zhvillimet e 16 shtatorit, me qëllim ruajtjen e rendit publik, sigurisë dhe menaxhimin e aktiviteteve që mund të zhvillohen atë ditë.
Në të njëjtën ditë, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë planifikuar shpalljen e aktgjykimit në procesin ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit. Të katër janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave.
Njoftimi amerikan është një masë parandaluese sigurie dhe nuk nënkupton se janë konfirmuar incidente apo trazira.