Politike
Raporti i BE-së, Berisha: Balluku pengon integrimin
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas publikimit të raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë, duke kritikuar shumicën parlamentare për qëndrimet ndaj kërkesave të opozitës dhe hetimeve të SPAK.
Gjatë një konference për mediat, Berisha u ndal te refuzimi i kërkesave të opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore, si dhe te votimi i Kuvendit kundër kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku.
Duke iu referuar raportit të Komisionit Europian, kreu i PD-së tha se vendimi i shumicës parlamentare ngre shqetësime për kontrollin dhe balancën mes pushteteve, si dhe për barazinë e qytetarëve para ligjit.
Berisha e cilësoi çështjen Balluku si një pengesë për procesin e integrimit europian dhe akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe ish-zëvendëskryeministren për përfshirje në afera korruptive. Ai përdori tone të ashpra ndaj Ballukut, duke e cilësuar atë si një nga pengesat kryesore në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
“Pas Edi Ramës, Lubi Balluku bëhet mur i pakalueshëm në rrugën drejt BE-së”, deklaroi Berisha, duke shtuar se raporti evidenton edhe vonesat e shumicës në zbatimin e disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.