✦
Thinking ...
Connect with us

Rajon

ALARM NE SERBI, PO BEHET GATI ARRESTIMI VUÇIÇIT

Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiç, ka akuzuar kundërshtarët politikë se po përgatisin një fushatë për arrestimin e presidentit Aleksandar Vuçiç, pas kërkesave që ai të merret në pyetje lidhur me tragjedinë në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ku humbën jetën 16 persona.

Përmes një reagimi në rrjetin social X, Brnabiç ka pretenduar se kërkesat për marrjen në pyetje të Vuçiçit nuk kanë për qëllim zbardhjen e tragjedisë dhe vendosjen e drejtësisë, por përndjekjen politike dhe largimin e tij nga skena politike serbe. Sipas saj, më pak se 72 orë pas fitores së Listës Studentore në zgjedhje, ka nisur një fushatë që synon arrestimin e presidentit serb.

“Ata premtuan terror revolucionar dhe tani po shohim terror revolucionar. Gjatë fushatës nuk e lejuan Aleksandar Vuçiçin të fliste, ndërsa gjatë heshtjes zgjedhore e sulmuan atë dhe familjen e tij. Tani, më pak se 72 orë pas fitores së tyre zgjedhore, po nisin një aksion për arrestimin e tij”, ka shkruar Brnabiç.

Ajo i ka cilësuar të pabazuara arsyetimet për marrjen në pyetje të Vuçiçit, duke argumentuar se fakti që presidenti ishte informuar për ecurinë e një projekti të madh infrastrukturor nuk përbën, sipas saj, bazë të mjaftueshme për ta lidhur atë me përgjegjësinë për tragjedinë.

Brnabiç ka kërkuar gjithashtu që hetimet të përqendrohen te personat që kishin përgjegjësi për kontrollin teknik të projektit dhe miratimin e punimeve në stacionin hekurudhor. Ajo ka pretenduar se disa prej personave që kishin dhënë miratimin për projektin, pa kërkuar kontrolle shtesë, nuk janë marrë në pyetje dhe se ata janë pjesë e Listës Studentore.

Në reagimin e saj, kryetarja e Kuvendit serb e ka krahasuar tragjedinë e Novi Sadit me shembjen e një pjese të çatisë së terminalit të aeroportit Charles de Gaulle në Francë, në vitin 2004, ku humbën jetën katër persona. Brnabiç ka ngritur pyetjen nëse, në një rast të ngjashëm, autoritetet franceze do ta kishin marrë në pyetje presidentin e atëhershëm Jacques Chirac si të dyshuar për ngjarjen.

“Do të ishte e paimagjinueshme në çdo vend ku sundon ligji dhe jo terrori revolucionar. Por këtu qëllimi është të heshtet dhe të largohet Aleksandar Vuçiç, jo të arrihet drejtësi”, ka deklaruar ajo.

Në fund, Brnabiç ka paralajmëruar se do të kundërshtojë atë që e cilëson si përpjekje për përndjekje politike të presidentit serb.

“Ne do të luftojmë për një Serbi të lirë, kundër terrorit revolucionar. Pa frikë, sepse e dimë për çfarë po luftojmë”, ka përfunduar ajo.

Advertisement