Aktualitet
Paketa Fiskale 2027/ Shoqata Kombëtare e Transportit i kërkon kryeministrit Rama heqjen e taksës së qarkullimit dhe akcizës së naftës
Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas i është drejtuar kryeministrit Edi Rama me pesë kërkesa për Paketën Fiskale 2027. Në mesin e tyre është përjashtimi i autobusëve nga taksa e qarkullimit, heqja ose rimbursimi i akcizës së naftës dhe ulja e TVSH-së në 6%.
Në shkresën e datës 29 tetor, të firmosur nga kryetari Kostandin Foni, shoqata argumenton se transporti publik po përballet me kosto të konsiderueshme për karburantin, pagat, mirëmbajtjen, siguracionet dhe detyrimet fiskale, ndërsa çmimi i biletave nuk mund të ndryshohet lirshëm nga operatorët.
“Ky sektor nuk mund të trajtohet në mënyrë të njëjtë me veprimtaritë e zakonshme tregtare apo me përdorimin privat të automjeteve, për shkak të natyrës së tij si shërbim publik”, thuhet në shkresë.
Shoqata kërkon që autobusët e licencuar të përjashtohen plotësisht nga taksa e qarkullimit, e cila sipas saj është aplikuar në masën 32 lekë për litër karburant, pa përfshirë TVSH-në.
Ndërkohë një tjetër kërkesë është heqja e akcizës për naftën që përdoret në transportin publik ose, nëse kjo nuk realizohet, rimbursimi i saj çdo muaj ose çdo tre muaj, bazuar në konsumin e dokumentuar të karburantit.
“Karburanti përfaqëson një nga zërat kryesorë të shpenzimeve të veprimtarisë së transportit. Ndryshimet e çmimit të tij ndikojnë drejtpërdrejt në koston për kilometër, në shpenzimet e përgjithshme të operatorëve dhe në aftësinë për të përmbushur detyrimet e shërbimit”, theksohet në dokument.
Shoqata propozon gjithashtu aplikimin e një norme të reduktuar të TVSH-së prej 6% për transportin publik qytetas, si dhe trajtim të favorshëm të TVSH-së për karburantin, pjesët e këmbimit, mirëmbajtjen dhe investimet në autobusë.
Në shkresë kërkohet që ndryshimet fiskale të mos sjellin rritje automatike të çmimit të biletave për qytetarët apo të cenojnë kontratat ekzistuese të shërbimit.
Përveç lehtësirave fiskale, shoqata ngre shqetësimin për vonesat në disbursimin e subvencioneve dhe kompensimeve, kostot e transportit falas ose me tarifa të reduktuara për kategori të caktuara qytetarësh, si dhe nevojën për rinovimin e flotës së autobusëve.
Për këtë arsye, kërkohet një analizë e posaçme e kostove reale të sektorit dhe ndikimit që lehtësirat e propozuara do të kishin në buxhetin e shtetit dhe të pushtetit vendor.
Kërkesa e pestë është përfshirja e përfaqësuesve të shoqatës në konsultimet me institucionet përgjegjëse. Shoqata propozon ngritjen e një grupi të përbashkët teknik me Ministrinë e Financave, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe autoritetet vendore.
Sipas saj është e rëndësishme që propozimet të shqyrtohen përpara miratimit të Paketës Fiskale 2027 dhe të organizohet një takim konsultativ me institucionet përgjegjëse, përpara përfundimit të procedurave parlamentare