Politike
Transferimi i Veliajt në Fier, PS dhe PD bashkohen në Këshillin Bashkiak: Teliti dhe Valteri reagojnë
Në mbledhjen e ditës së sotme, Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar listën e aplikuesve prej 1500 personash, të shpallur fitues për programin social “Për subvencionimin e interesave të kredive”, të cilëve do t’u subvencionohen interesat e kredisë nga buxheti i shtetit për blerjen e një apartamenti në Tiranë.
Transferimi i Erion Veliajt në burgun e Fierit u diskutua po ashtu në Këshillin Bashkiak, ku demokratët dhe socialistët u bënë bashkë duke shprehur kundërshtinë dhe kërkuan transparencë për mënyrën se si kryebashkiaku u trajtua.
Halit Valteri u shpreh se “asnjë masë paraburgimi nuk duhet të shërbejë si justifikim për trajtim çnjerëzor”.
“Transferimi dhe kushtet e mbajtjes së Veliajt, kërkoj mirëkuptim, ta shtrojmë këtë diskutim në Këshillin Bashkiak. Shqetësim për transferimin e papritur dhe kushtet e rënda në të cilat raportohet se po mbahet në Fier. Shqetësimi edhe më serioz pas vizitës së Avokatit të Popullit, ku janë ngritur çështje që kërkojnë verifikim e ndërhyrje. Veliaj është i paraburgosur, gëzon prezumimin e pafajësisë dhe të drejtat kushtetuese, të drejtat e njeriut. Asnjë masë paraburgimi nuk duhet të shërbejë si justifikim për trajtim çnjerëzor, kufizime të takimeve me familjarë, mbrojtës, apo marrje të kujdesit shëndetësor. Të kërkojmë nga Ministria e Drejtësisë dhe burgjet arsyet e këtij transferimi, vlerësimin e menjëhershëm të nevojave shëndetësore të zotit Veliaj. Mesa di, ka edhe këmbën në allçi”, tha Valteri.
Ilda Zhulali, teksa u ndal në postimin në Facebook të Veliajt, deklaroi se pa asnjë dokument zyrtar e kanë dërguar në izolim.
“Sot keni sjellë për të votuar 1500 kredi të buta, do t’i marrin ata njerëz, po nuk do të marrin dot një çelës shtëpie. Këtë e ka kuptuar edhe kryetari i burgosur i bashkisë, Erion Veliaj. Uroi studentët serbë që mundën Vuçiçin, mikun e Ramës, ky shkroi se protestat studentore janë fundi i një bote. Për këtë, Toni Gogu, pastori që e martoi, e transferoi në Fier. Me sa kemi dëgjuar, pa asnjë dokument zyrtar edhe e ka çuar në izolim. Pra, për një status në FB, kumbari i dasmës e dorëzoi Biblën dhe ngriti lart urdhrin e diktatorit.
Tani, ju e dini që unë nuk kam asnjë lloj empatie për Erion Veliajn, por nëse Edi Rama e bën këtë me njeriun e tij dhe me kryetarin e Bashkisë së vet, çfarë mund t’i bëjë një nxënësi 15-vjeçar? Çfarë mund t’i bëjë? Ky është një mesazh për secilin prej jush që mërziteni që dëgjoni këto, sepse diktatura nuk vjen me çizme. Prandaj është detyrë qytetare, por edhe patriotike, që secili prej nesh që drejton studentët të kërkojë dorëheqjen e qeverisë Rama, një qeveri teknike dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme në këtë vend”, u shpreh Zhulali.
Nga ana tjetër, Dorian Teliti, teksa iu kundërpërgjigj Halit Valterit, u shpreh se nuk i intereson fati i kryebashkiakut Erion Veliaj, por mënyra se si u bë zhvendosja e tij drejt burgut të Fierit.
“Këtë fjalë do ta mbaj në emër të grupit këshilltar të Partisë Demokratike. Ajo që dua të diskutoj, nuk është thjesht rendi që keni propozuar, si gjithmonë në mënyrë të njëanshme, dua të ndalem te problemet dhe fati i kësaj bashkie. Halit Valteri tha: ‘U rrëmbye kryetari i Bashkisë së Tiranës’. Po, e vërtetë. S’më intereson fati i kryebashkiakut si karrige, por si qytetar duhet të di kush rrëmbehet dhe si rrëmbehet. Dua të di se kush rrëmbehet dhe kush janë ata që japin urdhra dhe e konsiderojnë Bashkinë e Tiranës aq zhele, sa marrin atë që duhet ta kishin larguar siç duhet, dhe pse ai u kthye nga Kushtetuesja në krye të bashkisë.
Nuk e kam hallin te Veliaj, se ai duhet të paguajë për ato para të vjedhura që iu gjetën të mykura. Por duhet të jepet llogari për Bashkinë e Tiranës. Na duhet reagim për ata të rinj që kanë ngrënë shkopinj gome në protestë. Për atë të riun që iu thye këmba nga shkopi i gomës, apo për ata të rinj që janë rrahur. Ju shumë mirë që flisni për Erion Veliajn, por flisni edhe për qytetarin e thjeshtë, për atë njeri që nuk ka shpresë. Ka vend për të futur emigrantët, por jo studentët në konviktet tona. Flasim për problematikat e transportit, apo edhe për protestën e studentëve që po mbahet tani para Ministrisë së Arsimit.
Të flasim për atë qytetarin e pafajshëm, që nuk i janë mykur eurot në xhep, sepse nuk ka. Sot në bulevard protestojnë të rinjtë, prej 15 ditësh, sepse nuk kanë shtëpi. Nuk kanë ku të rrinë. Për këtë duhet të flasim këtu. Kur futem në këtë sallë, ndiej lloj-lloj parfumesh të shtrenjta. Nëse i keni blerë me para korrupsioni, haram i paçi! Duhet të ngriheni të shkojmë në protestë. I ftoj të gjithë: ngrihuni nga karriget dhe bashkojuni protestës”, tha Dorian Teliti.
Eridian Salianji u shpreh se “t’i drejtohen Ministrisë së Drejtësisë dhe Avokatit të Popullit në lidhje me shkaqet e transferimit, transparencën dhe gjendjen e tij”.
“Në lidhje me ngjarjen e ndodhur dje, kryetari i Bashkisë së Tiranës është transferuar në burgun e Fierit dhe, në diskutimet dhe përmbledhjet e grupit, vendosëm që duhet që ne, drejtori i Bashkisë dhe Turizmit, t’i drejtohemi Ministrisë së Drejtësisë dhe Avokatit të Popullit në lidhje me shkaqet e transferimit, transparencën dhe gjendjen e tij në konfirmim. Dhe kjo është ajo çka ne, të paktën, duhet të dimë sot: se çfarë ka ndodhur dhe cilat janë shkaqet që kanë çuar në këtë transferim. Besoj se, në momentin e duhur, institucionet do të veprojnë shpejt për të pasur transparencë.
Kjo ka të bëjë me vetë situatën e kryetarit të Bashkisë, si dhe me transparencën për qytetarët e Tiranës. Dhe besoj, meqenëse këtu ishte edhe opozita dhe kërkoi edhe ajo transparencë, duhet që këtë shkresë të mos e dërgojmë si grupi i këshilltarëve socialistë, por ta dërgojmë si Këshill Bashkiak i Tiranës. Por opozita fjalët i ka për politikë, nuk e ka për veprim. Këtë e kemi shumë të qartë nga opozita”, u shpreh Salianji.
Aldo Merkoçi ka ngritur shqetësime në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës lidhur me transferimin e kryebashkiakut Erion Veliaj nga paraburgimi në Durrës drejt atij të Fierit, ai kërkoi transparencë mbi arsyet dhe bazën ligjore të këtij vendimi.
“Politikisht kur një veprim i pazakontë dhe i pashpjeguar ndërmerret ndaj një figure politike në një moment politik të ngarkuar dyshimi se po ushtrohet presion politik nuk ka nevojë ta krijojë askush, e krijon vetë heshtja e institucioneve. Unë nuk e di motivin dhe pikërisht sepse askush prej nesh nuk duhet të hamendësojë, institucionet kanë detyrim që ta bëjnë atë të qartë. Shteti i së drejtës nuk matet vetëm me aftësinë për të arrestuar, hetuar po dënuar, matet me vetëpërmbajtjen me të cilën e ushtron forcën që i është dhënë. Sot nuk kërkoj një privilegj, kërkoj diçka më modeste dhe shumë më të rëndësishme, ligjshmëri të verifikueshme, transparencë të plotë. Dua të jem i qartë që në fillim, nuk jam këtu për të folur për fajësinë apo pafajësinë e Erion Veliajt, për këtë ka gjykatë. Nuk jam këtu as për ta viktimizuar dhe as për t’i kërkuar askujt trajtim të privilegjuar për shkak të postit që mban.
Pyetja ime nuk është pse Fieri, pyetja ime është ku është letra. Dje në mëngjes një qytetar shqiptar pas afro 20 muaj paraburgimi pa një vendim gjykate u mor nga institucioni ku mbahej dhe u dërgua në një qytet tjetër pa ju dhënë asnjë akt, pa ju treguar asnjë arsye as atij as avokatit të tij që e kërkoi zyrtarisht dhe sipas asaj që raportohet edhe Avokati i Popullit po e verifikon u vendos në një qeli izolimi. Kjo është absurde. Kërkoj që ky Këshill të mos mjaftohet me fjalë.
Dy veprime konkrete: Së pari, t’u drejtohemi zyrtarisht Ministrisë së Drejtësisë, Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Avokatit të Popullit, duke kërkuar bërjen publike të aktit dhe të arsyeve të transferimit, garantimin e menjëhershëm të aksesit të avokatit dhe të Avokatit të Popullit, dhe verifikimin e pavarur të kushteve të mbajtjes. Së dyti, t’i kërkojmë administratës së Bashkisë, siç parashtrohet në kërkesën që kemi depozituar sot-një raport të plotë dhe të dokumentuar mbi atë që ky transferim i bën funksionimit të institucionit tonë: cilat kompetenca kanë mbetur pezull, cilat komunikime janë penguar, çfarë kostosh dhe vonesash po paguan qyteti. Jo për të bërë politikë. Për ta matur dëmin. Nëse ligjshmëria, transparenca dhe trajtimi njerëzor ekzistojnë, institucionet nuk kanë asgjë për të fshehur. Nëse nuk ekzistojnë, atëherë kemi një problem që shkon shumë përtej emrit të Erion Veliajt”, deklaroi Merkoçi.