Opozita do të bojkotojë në bllok takimet e thirrura nga Presidenti Bajram Begaj të premten e 30 tetorit në Pallatin e Brigadave për të konsultuar datën për zgjedhjet vendore të 2027.

Pas Partisë Demokratike, e cila fill pas ftesës e quajti teatër politik ftesën e Begajt, edhe të gjitha partitë e tjera parlamentare që i përkasin pakicës i thonë jo ftesës së kreut të shtetit.

Report Tv kontaktoi me përfaqësues të të gjitha partive parlamentare që i është drejtuar ftesa, Partinë e Lirisë, Partinë Mundësia, Lëvizjen Bashkë e Shqipëria Bëhet që thonë se nuk do të jenë në takimin e Begajt.

E vetmja që me gjasë do ta takojë Begajn të premten, është mazhoranca.

Taulant Balla tha se PS nuk ka preferenca për datën, por përjashton vetm 2 majin që është festë zyrtare.

“S’kemi datë të preferuar, por në respekt të Pashkëve Ortodokse, jo 2 maji”, tha Balla.

Pavarësisht se asnjëra nga partitë nuk ka shprehur një datë preferenciale, 9 maji shihet si data më e mundshme kur qytetarët t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur krerët e rinj të bashkive.

Më herët, Presidenti ka zhvilluar takim edhe me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashin. Pas konsultimeve Begaj ka mundësi deri më 6 nëntor të shpallë dekretin për datën e zgjedhjeve.